​Drita Rexhaj zgjidhet anëtare e KGjK-së nga radhët e Gjykatës së Apelit

Në organizimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, (KGjK) e në ambientet e Gjykatës së Apelit, gjyqtarët e kësaj gjykate kanë votuar sot, zgjedhjen e një gjyqtareje të nominuar për anëtar të KGjK-së.

Kandidate të nominuara për anëtare të KGjK-së nga Gjykata e Apelit ishin, Delushe Halimi, Drita Rexhaj dhe Frosina Sylejmani.

Nëpërmjet komunikatës për media nga Këshilli Gjyqësor bëhet e ditur se me votim të fshehtë dhe me shumicë votash, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit kanë zgjedhur kolegen e tyre Drita Rexhaj, anëtare të KGjK-së. Gjyqtarja Rexhaj mori 23 vota në raundin e dytë të votimit.

E përzgjedhura nga radhët e Gjykatës së Apelit, konsiderohet si anëtare e KGjK-së, ndërsa në ditët në vijim certifikimin do ta bëjë KGjK-ja. Mandati i saj si anëtare e KGjK-së është 5 vjeçar.

Drita Rexhaj është gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm-Divizioni për Çështje Civile në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Gjyqtarja Rexhaj ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 1992, ndërsa provimin e jurisprudencës e kreu në vitin 2003. Nga viti 2002 deri në vitin 2003 ajo ushtroi detyrën e praktikantes vullnetare në Gjykatën Supreme të Kosovës, ndërkaq nga viti 2003 deri më 2010 ka ushtruar detyrën e bashkëpunëtores profesionale në Gjykatën Supreme të Kosovës. Më 2010 është emëruar gjyqtare në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ndërsa me 01.01.2013 Drita Rexhaj është emëruar gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në janar të viti 2019 u emërua gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi