Vuçiq: Kosova ishte shqetësimi më i madh i patriarkut Irinej, ka kuptuar të gjitha gabimet që Serbia ka bërë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur sot në ceremoninë e varrimit të patriarkut të Kishtës Ortodokse Serbe, Irinej.

Ai ka thënë se shqetësimi më i madh i kreut të Kishës Ortodokse Serbe ishte Kosova.

Sipas tij patriarku Irinej e ka kuptuar realitetin e vështirë dhe të gjitha gabimet historike që ka bërë Serbia në raport me Kosovën.

“Edhe pse një pjesë të jetës e kaloi në Prizren, u soll në mënyrë racionale dhe me kokë të ftohtë, duke kërkuar rrugë që ta ruajmë, apo së paku të mos pranojmë pavarësinë e Kosovës.

E kuptoi realitetin e vështirë dhe të gjitha gabimet historike që kemi bërë, por besoi në forcën në rritje të shtetit serb dhe, nganjëherë, disi naivisht, fuqinë për të bindur botën se Kosova dhe Metohia do të jetë mirë vetëm me një zgjidhje të drejtë. Respektoi botën perëndimore dhe ishte i bindur se një ditë do të kuptonte serbët dhe do të pranonte të paktën një pjesë të argumenteve tona”- ka thënë Vuçiq.

Qindra persona në Serbi, përfshirë edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i cili vdiq më 20 nëntor në moshën 90-vjeçare si pasojë e infektimit nga Covid-19.

Kategoritë
LajmeRajoni