“Vjosa, propagandë për vota në Tiranë”, Rama “thyen” heshtjen dhe tregon sëmundjen që po e gërryen Kosovën

Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer ndaj deklaratave të Presidentes në detyrë të Kosovës ndaj Vjosa Osmanit gjatë vizitës zyrtare në Tiranë duke i cilësuar ato si groteske dhe vulgare. Sipas Ramës, Vjosa Osmani në kryeqytetin shqiptar bëri propagandë për të fituar vota në Kosovë, ndërsa qasjes që po i bëhet minishengenit në Kosovë, ai e krahasoi me kalanë e Rozafës.

Kryeministri, Edi Rama, ka komentuar për herë të parë vizitën e ushtrueses së presidentes në Kosovë, Vjosa Osmani, në Tiranë dhe deklaratata e forta të saj.

Sipas Ramës, Shqipëria nuk ka asnjë probleme me Kosovën por është kjo e fundit ajo që ka probleme me veten.

Këtu ai i referohet klasës politike, që politikën e brendshme e ka bërë politikë të jashtme dhe politikën e jashtme e përdor për politikë të brendshme.

E kjo sipas Ramës e ka rraskapitur Kosovën.

Edi Rama: Sigurisht objektivi ynë ka qenë dhe mbetet zero probleme me fqinjët. Por zero probleme me fqinjët nuk do të thotë fshehje e problemeve por zerim të problemeve. Nuk është se ne kemi probleme, nuk kemi asnjë problem me Kosovën. Për fat të keq probleme ka Kosova me veten. Prej disa kohësh politika e brendshme është bërë politikë e jashtme dhe politika e jashtme është bërë politikë e brendshme dhe kjo e rraskapitur Kosovën sëbrendshmi dhe sëjashtshmi. E shoh me shqetësim dhe e kam adresuar me udhëheqësit në Kosovë, jam përpjekur ta adresoj dhe publikisht pa dashur të rëndoj askënd dhe për asgjë.

Dy temat kryesore ku ndahen qëndrimet e Ramës me Vjosa Osmanin, janë shengeni rajonal dhe trau në Rrugën e Kombit.

Rama: Është tipike ajo që ndodh me qasjen ndaj shengenit rajonal ku një nga shtyllat e politikës së jashtme që ka të bëjë me politikën rajonale është bërë si kalaja e Rozafës në Kosovë, disa e ngrejnë ditën dhe disa e shembin natën.Është e pakonceptueshme që një qeveri legjitime dhe kryeministri i një qeverie legjitime të firmosin vullnetin e shtetit të Kosovës me kompetencat që u jep Kushtetuta dhe ligji në Shtëpinë e Bardhë për shengenin rajonal dhe një presidente në detyrë të shfaqet në Shqipëri, jashtë Kosovës, dhe të bëjë politikë të brendshme me këtë shtyllë të politikës së jashtme të Shqipërisë apo në këtë rast të Kosovës.

Akoma më grotesk, shefi i qeverisë shqiptare e sheh debatin për traun.

Rama: Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi i vendosur  për Kosovën. Kjo është të bësh politikë të brendshme me një çështje administrative të vendit fqinj dhe të vish në Tiranë të bësh propagandë  për të fituar vota në Kosovë me një demagogji dhe retorikë absurde. Ai tra atje nuk është kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sikurse trau që do të vihet nesë në rrugën e re Milot-Fier nuk është kufi midis Shkodrës dhe Tiranës apo Tiranës dhe Fierit. Sikundër nuk janë kufi brenda shteteve të tyre trarët e pagesës së rrugës  në çdo shtet, kjo është groteske dhe jodashamirëse, për të thnë një fjalë të lehtë.

Nëse për zonjën Vjosa atdheu është Kosova dhe Shqipëria, ky është një tra në mes të atdheut  që do ta paguajnë të gjithë atdhetarët kontributin për atë rrugë që është një rrugë e atdheut. Kjo vlen për të gjithë ata që përdorin rrugën. Mund ta shikojnë rrugën se çfarë ndryshimi thelbësor dhe kapilar ka në çdo pjesë të saj  falë investimeve të mëdha që po bëhen në atë rrugë. Këto janë dy pika që flasin qartësisht për një sëmundje që e ka prekur dhe po e gërryen politikën në Kosovë duke bërë një alterim të funksioneve, politikë e brendshme me politikën e jashtme dhe politike e jashtme me politikën e brendshme. Kjo është konceptuale, nuk ka lidhje me probleme personale dhe nuk ka lidhje me probleme mes shteteve.

Kategoritë
LajmeRajoni