Trazirat në Washington, nisin arrestimet e protestuesve

Personi në foto është identifikuar si Adam Johnson. Ai është fotografuar gjatë protestës së dhunshme në Kapitol duke marrë foltoren e Kryetares së Dhomës së Kongresit Nancy Pelosi.

Mediet amerikane njoftojnë se 36 vjeçari është arrestuar nga organet ligjzbatuese. Ai po mbetet në burgun e Qarkut Pinellas pas përfshirjes së tij në trazirat e 6 Janarit në Washington, thonë autoritet policore.

Johnson është i martuar dhe ka pesë fëmijë, ndërsa është një votues i regjistruar pa ndonjë lidhje partiake shkruajnë mediet amerikane. Akuzat ndaj Johnsonit ende nuk janë bërë publike. Deri më tani, mbi 70 persona kanë përfunduar në prangat e policisë si pasojë e mësymjes brenda në ndërtesën e Kapitolit, duke thyer xhama, dëmtuar pajisje e duke vjedhur orendi.

Më herët është njoftuar se prokurorët amerikanë pritet të hapin hetim federal për vrasje lidhur me vdekjen e një oficeri policie i cili humbi jetën nga plagët e marra kur mbështetësit e Presidentit Donald Trump sulmuan Kapitolin.

Masat e marra për ngjarjen e paprecedentë në Washington kanë qenë të ndryshme. Disa nga protestuesit që sulmuan Kapitolin u pushuan të enjten nga puna. Departamenti i Policisë për Uashingtonin publikoi foto të atyre personave që morën pjesë në trazirat e së mërkurës dhe njoftoi se mund të ngrejë akuza ndaj tyre.

FBI-ja gjithashtu i kërkoi publikut ndihmë për të identifikuar protestuesit. Disa individë që ishin fotografuar më parë në tubimet e presidentit Trump dhe mbështetësit e lëvizjes së teorisë konspirative QAnon u identifikuan menjëherë.

“Le t’i emërtojmë e t’i turpërojmë!”, shkruhej në postime të ndryshme Twitter, kushtuar demaskimit të pjesëmarrësve në trazira.

Kategoritë
BotaLajme