Transplanti në Turqi i shpëtoi syrin policit shqiptar të plagosur në protestë

Kryeministri Edi Rama u takua para pak ditëve me efektivin e Policisë së Shtetit Shqiptar, Fadil Allaraj, bashkëshorten dhe prindërit e tij, pas transplantit me sukses të syrit në qendrën e specializuar për ushtarakët e plagosur në Turqi.

Kryeministri Edi Rama u takua para pak ditëve me efektivin e Policisë së Shtetit Shqiptar, Fadil Allaraj, bashkëshorten dhe prindërit e tij, pas transplantit me sukses të syrit në qendrën e specializuar për ushtarakët e plagosur në Turqi.

Efektivi i Policisë, Allaraj mbeti i plagosur gjatë protestave që u zhvilluan pas vrasjes së të riut Klodjan Rasha.

Allaraj shpjegoi se i ishte nënshtruar një operacioni të gjatë prej 6 orësh në Turqi.

Ndërkohë, mjekët në Shqipëri falë një pune të shkëlqyer arritën të ndërhynin në kohë dhe t’i shpëtonin efektivit syrin.

Rama tha se problemi kryesor për dërgimin e efektivit në Turqi ishte nëse ai do të mund të përballonte transportin, pasi mund të ndodhte që efektivi të pësonte hemorragji, çka do ta bënte të pamundur shpëtimin e shikimit. Ndërkohë Rama tha se dërgimi i efektivit nga Shqipëria në Turqi ishte urdhër i Presidentit Erdogan.

Unë kisha folur direkt me presidentin turk dhe kisha marrë premtimin e tij për të bërë të mundur operacionin në Turqi. Ajo që shpeshherë nuk duan ta kuptojnë njerëzit është se spitali jonë faktikisht ka bërë fazën e parë që ishte shpëtimi i masës së syrit, sepse rreziku më i madh ishte se mund të humbiste masën e syrit dhe pastaj ndërhyrja tjetër u bë në spitalin ushtarak që është i superspecializuar. Edhe mjekët kishin shqetësimin të mos kishte problem transporti, pasi problem kryesor ishte ndonjë hemorragji e mundshme. Kështu që duhet të kishim garanci. Ministrja e ka ndjekur hap pas hapi dhe kemi marrë opinion nga mjekët se nëse nuk do të ishte bërë ndërhyja e parë me kaq profesionalizëm do të ishte e pamundur të shpëtohej shikimi. Fjala që kemi marrë ne, është se ata janë shumë të kënaqur me rezultatin. Ata thonë se ne kemi arritur sukses. Ja ke falur dritën e syrit dhe ne duhet t’ja mbrojmë“, iu drejtua Rama të atit të efektivit.

Rama tha se uronte nga zemra që asnjë prind e familjar i efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ketë kurrë të tilla dhimbje.

“Qoftë kjo natë një bekim për mbarësi, shëndet e gëzim në familje, për të gjithë prindërit e Shqipërisë në radhën më të parë, e për fëmijët e tyre padyshim”, uroi Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliui uruan festën e Krishtlindjes mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Infektiv në Tiranë, ndërsa bëri të ditur se pas kalimit të situatës së koronaviruesit spitali Infektiv do të ndërtohet nga fillimi.

Duke u shprehur mirënjohjen për punën heroike e të palodhur në këta 10 muaj të pandemisë botërore COVID-19, Rama dhe Manastirliu iu dhanë edhe disa dhurata simbolike.

Kryeministri Rama bëri me dije se procesi i vaksinimit do të kryhet në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga java e parë e janarit.

“Bashkë me ministren kemi filluar të adaptojmë një projekt te stadiumi “Air Albania” për të vendosur gjithë ekipet që do bëjnë vaksinimin, sepse siç kemi dëgjuar e ç’na kanë sugjeruar në mjedis të hapur është shumë më mirë për të patur edhe radha të kontrolluara. Sigurisht mjedis i hapur por prapë edhe i mbyllur, aty po bëjmë një projekt shumë të bukur që do jetë gati besoj në fillim të janarit.

Në javën e parë të janarit do e kemi të instaluar, dhe do fillojmë me vaksinimin kështu që shumë shpejt do t’ju imunizojmë juve një herë e hap pas hapi edhe grupet e prioriteteve, ne kemi vendosur, mjekët, mësuesit edhe punonjësit e policisë, që janë më në kontakt me njerëzit dhe më pas do të përshkallëzohet me të tjerët. E të gjithë thonë se në mars prill dozat do të jenë më shumë e më pas jam i bindur se do nisë të ketë teprica, sepse prodhimi është futur shumë fort në linjë”, theksoi Rama.

Kategoritë
LajmeRajoni