Tiranë, hapet ekspozita “Gjuha shqipe, nga alfabeti në drejtshkrim”

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 nëntor dhe do të paraqiten dokumente dhe fotografi që nga Kongresi i Manastirit e deri te Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe

Në mjediset e Kalasë së Tiranës është hapur ekspozita me temë “Gjuha shqipe, nga alfabeti në drejtshkrim”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve që organizojnë ekspozitën, e cila do të qëndrojë e hapur disa ditë, si dhe vizitorë të interesuar për të parë nga afër dokumentet që ekspozohen.

Drejtoresha e Drejtorisë së Evidencës Qendrore dhe e Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Elsa Saka, tha se institucioni që ajo përfaqëson dhe ATSH janë dy institucione që ruajnë kujtesën historike të periudhave të ndryshme.

“Ne po japim vlera të veçanta, edhe pse në kushte të vështira. Është një ekspozitë që i kushtohet drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ku kanë qenë përfaqësues albanologë shumë të famshëm nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe një kongres që është mbajtur për standardizimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, që të kishim një standardizim të përhershëm”, theksoi Saka.

Gjatë hapjes së ekspozitës, drejtoresha e Lajmeve në ATSH-së, Almarina Gegvataj, theksoi se bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i veçantë, si “dy institucione që mbartin thesare dhe dokumente tepër të çmueshme”.

“Nëpërmjet bashkëpunimit me Arkivin e Shtetit, Agjencia Telegrafike Shqiptare ka bërë të mundur të zbulojë shumë dokumente të panjohura. Shpresoj që kjo ekspozitë të jetë një mundësi për të rinjtë, veçanërisht që të njihen më shumë me këto akte të jashtëzakonshme historike”, tha Gegvataj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 nëntor dhe në të përfshihen dokumente e fotografi nga Kongresi i Manastirit deri te Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili u mbajt në Tiranë, në datat 20-25 nëntor 1972.

Kategoritë
LajmeRajoni