Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka dhënë mesazh urimi, teksa nuk ka lënë pa uruar edhe për Ditën e Çlirimit të vendit, raporton Ekonomia Online.
“Në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emër timin ju uroj këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së Kurbanit. Ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë, për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova ta fitojë pavarësinë e saj”, uroi Tërnava.
Ai tha se festat e myslimanëve duhet të shfrytëzohen për të sjellë gëzim dhe lumturi te personat që kanë nevojë.
“Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë gëzim dhe lumturi në zemrat e atyre që kanë nevojë duke i trajtuar të sëmurët e duke vizituar të afërmit, duke shkëmbyer urime me miq dhe duke i mbjell këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë”, tha Tërnava