Tentim vrasje dhe pjesëmarrje në rrahje, një muaj paraburgim për të dyshuarit

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurve F.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, si dhe ndaj B.A., dhe E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje.

Sipas njoftimit, Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve F.K., B.A. dhe E.R., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“I pandehuri F.K., me datë 4 mars në orët e pasdites në Dragash, tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin A.R., , dhe me atë rast me dashje vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit M.M., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje dhe rrahje paraprake e nxjerr pistoletën zyrtare e markës ,,Glock” të cal. 9×19 mm. dhe shkrep një herë nga një distancë në drejtim të të dëmtuarve. Të pandehurit B.A., dhe E.R., me datë kohë dhe vend të njëjtë marrin pjesë në rrahje e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor të A.R., dhe M.M., sipas raporteve mjekësore të Qendrës Emergjente në Prizren. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Kategoritë
LajmeVendi