Al-Sharaa befasoi shumëkënd, emëroi në parlament aktoren e njohur siriane Rozina Lazkani

Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa ka përfunduar formimin e parlamentit kalimtar duke emëruar 70 anëtarë në Asamblenë Popullore. Mes të emëruarve është edhe aktorja e njohur siriane Rozina Lazkani (Rouzaina Amer al-Ladhiqan).

Emërimet u publikuan nga Komiteti i Lartë për Zgjedhjet në Asamblenë Popullore të Sirisë dhe u transmetuan nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA, duke përmbyllur kështu procesin e formimit të parlamentit.

Dy të tretat e vendeve të deputetëve u plotësuan përmes zgjedhjes indirekte nga komitetet lokale, proces që nisi në tetor të vitit 2025, ndërsa presidenti përdori kompetencat e tij kushtetuese për të emëruar një të tretën e mbetur të anëtarëve.

Lazkani, e lindur në vitin 1990, është aktore e njohur televizive dhe dramatike. Ajo studioi skenografi në Institutin e Lartë të Arteve Dramatike në Damask, ndërsa karrierën e saj si aktore e nisi rreth viteve 2013 dhe 2014. Popullaritet fitoi me rolet në serialet televizive siriane, përfshirë edhe serialin “Al-Hayba”.

Mes emërimeve presidenciale janë edhe 15 gra, me çka numri i përgjithshëm i deputeteve në parlament është rritur në 21.

Në listë gjenden edhe familjarë të viktimave të luftës civile, ish-të burgosur dhe persona që kanë mbijetuar sulmet kimike, deklaroi kryetari i komitetit, Mohammad Taha al-Ahmad.

Krahas Lazkanit, janë emëruar edhe figura të tjera të njohura, ndër të cilat edhe aktivistja Aisha al-Dibs.

Ky hap përfaqëson një fazë të rëndësishme të tranzicionit politik të Sirisë pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024.

Seanca e parë e Asamblesë së re Popullore është caktuar për më 6 korrik 2026. Parlamenti do ta ushtrojë përkohësisht funksionin legjislativ deri në vendosjen e një kornize të përhershme kushtetuese.

Lazkani publikoi një deklaratë në të cilën pranoi emërimin, duke theksuar se për të është nder t’i shërbejë popullit sirian. Ajo paralajmëroi se do të angazhohet për rindërtimin e vendit, kthimin dinjitoz të refugjatëve dhe promovimin e kulturës e artit si elemente kyçe të identitetit kombëtar.

Lazkani ishte mes artistëve që përmes rrjeteve sociale e mbështetën publikisht revolucionin sirian. Ajo gjithashtu kishte shpërndarë fotografi dhe video me të cilat shprehu gëzimin pas rrëzimit të Assadit më 8 dhjetor 2024.

Kategoritë
BotaLajme