Spanja shënon fitore të thellë ndaj Gjermanisë në Ligën e Kombeve

Ferran Torres shënoi “hat-trick” për kombëtaren e Spanjës, duke dërguar vendin e tij në finalen e Ligës së Kombeve.

Përfaqësuesja e Spanjës në futboll mposhti Gjermaninë me rezultatin 6:0 në ndeshjen e Ligës së Kombeve të UEFA-s të martën në mbrëmje.

Anësori spanjoll Ferran Torres shënoi “hat-trick” në Sevilla duke dhënë kontributin më të madh në fitoren e thellë të ekipit të tij.

Alvaro Morata, Rodri dhe Mikel Oyarzabal ishin golashënuesit tjerë për Spanjën.

Mesfushori gjerman Toni Kroos tha se ekipi i tij me siguri është hutuar nga humbja dhe vlerësoi kundërshtarët e tyre për aftësitë e tyre sulmuese.

“Ndoshta nuk është disfata më e hidhur e karrierës sime, por me siguri një nga më të mëdhatë. Kjo dhemb. Ne nuk mundëm të vendosim asnjë kontroll ndaj tyre. Spanja na tregoi se si sulmohet”, tha Kroos pas ndeshjes.

Gjermania për herë të fundit humbi 6:0 nga Austria në vitin 1931 ndërsa disfata e së martës tani është ndër humbjet më të rënda për gjermanët në histori.

Hungaria mposhti Gjermaninë me rezultatin 8:3 në Kupën e Botës të FIFA-s në vitin 1954.

Spanja kaloi në finalet e Ligës së Kombeve, duke fituar Grupin 4 me 11 pikë.

Gjermania është në vendin e dytë me 9 pikë.

Ukraina doli e treta me 6 pikë dhe Zvicra e katërta me 3 pikë.

Ndeshja e së martës midis Zvicrës dhe Ukrainës u anulua për shkak të testeve të shumta pozitive me COVID-19.

Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s do të vendosë për ndeshjen.

Rezultatet e së martës:

Liga A

Grupi 3, Kroacia – Portugalia 2:3, Franca – Suedia 4:2

Grupi 4, Spanja – Gjermania 6:0; Zvicra – Ukraina (ndeshja u anulua për shkak të COVID-19)

Liga C

Grupi 1, Luksemburgu – Azerbajxhani 0:0, Mali i Zi – Qiproja Greke 4:0

Liga D

Grupi 1, Andorra – Letonia 0:5, Malta – Ishujt Faroe 1:1

Grupi 2, Gjibraltari – Lihtenshtajni 1:1

Kategoritë
Sport