Zgjedhje të parakohshme nuk pati, pavarësisht kërkesës së opozitës.
Pozitë e opozitë hodhën akuza ndaj njëra tjetrës për mos gatishmëri për të shkuar në zgjedhje, derisa opozita kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe më pas shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa Kurti tha se s’ka arsye të japë dorëheqje por ia bën numrat opozitës për shpërndarje të Kuvendit, nëse ajo është unike.
E, derisa pritet mbajtja e zgjedhjeve të rregullta derisa jemi në vitin e fundit të qeverisjes së kryeministrit Kurti, partitë po japin vlerësime për rezultatet që presin t’i kenë në këto zgjedhje.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në një intervistë për Gazeta Blic, tha se është paradoks që opozita nuk ishte e gatshme për zgjedhje, derisa kërkonte që qeverinë Kurti ta çonte në shtëpi.
Sipas tij, opozita nuk ishte e gatshme për shkak se e dinë se janë shumë keq.
“Është e vërtetë që nuk pati zgjedhje të parakohshme. Është pak njëfarë paradoksi sepse në njërën anë thonë Qeveria Kurti shumë e keqe e duhet të shkojë në shtëpi sa më shpejtë. Kur u tha kryeministri Kurti “më çoni në shtëpi, unë po ua bëj disa numra dhe shpërndajeni Kuvendin”, ata po refuzojnë. Sikur ta kishin pasur këtë besimin e tyre që thonë se do të dalin në vend të parë, ata do të shkonin në zgjedhje prej kohësh, por duke e marrë parasysh që qëndrojnë shumë keq për shkak të punëve të mira të qeverisë sonë, prandaj edhe ata po hezitojnë të shkojnë në zgjedhje por zgjedhjet do të vijnë herët a vonë, është çështje kohësh”, thotë ai.
ipas deputetit, qeveria Kurti është më e mira në rajon dhe do të vazhdojë me punë të mira.
“Ne mendojmë se do të vazhdojmë me punë të mira, jemi qeveria e parë që nuk flitet për krim e korrupsion dhe jemi duke i luftuar ato, qeveria e parë që nuk bën koalicione me Listën Serbe e Radojçiqin por po i lufton ata. Qytetarët e Republikës e kanë parë që është dëshmuar që kemi një kryeministër i cili po i zbaton premtimet që i ka bërë dhe rrjedhimisht gjejmë edhe mbështetje te qytetarët e Kosovës, pasi jo vetëm në Kosovë por e kemi qeverinë më të mirë edhe në rajon”, vlerëson Basha.
Sa i përket rezultatit, deputeti thotë se fitorja nuk është temë por presin që t’i marrin mbi 50 për qind të votave.