“Situata me COVID-19 është kritike, spitalet po mbushin kapacitetet”

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, bëri thirrje për zbatim të masave mbojtëse, një ditë pasi vendi regjistroi rekord të ri të numrit të të infektuarve.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, theksoi se situata me koronavirusin e ri (COVID-19) në vend është kritike dhe se spitalet tashmë po plotësojnë të gjitha kapacitetet.

Ministri Filipçe këtë deklaratë e bëri në një video-porosi për publikun të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë e vendit.

“Para nesh ësthë ndoshta periudha më e vështirë në përballimin me pandeminë. Kërkoj që të gjithë të jemi maksimalisht të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës. Virusi është i përhapur gjerësisht. Neglizhenca ose mosrespektimi më i vogël i masave të mbrojtjes mund të nënkuptojë infektim. Tani kemi nevojë për mbështetje më shumë se kurrë në tetë muajt e fundit. Ajo që kërkojmë si profesionistë të shëndetit është me të vërtetë pak: Vetëm të mbroni shëndetin tuaj”, tha ministri Filipce.

Ai theksoi se të gjithë sakrifikojnë diçka në jetën e tyre këtë vit, duke sqaruar se dikush mund t ketë humbur financa dhe vendin e punës, dikush është përballur me virusin për muaj të tërë, e dikush madje ka humbur jetën.

“Secili për vete do të vendosë nëse sakrifica do të jetë mbajtja e maskës, mosgrupimi, mbajtja e distancës, apo sakrifica do të nënkuptojë vazhdim i pasigurisë shëndetësore dhe ekonomike. Kjo është zgjedhja, ndërsa fuqia për të ndryshuar gjërat është te secili prej nesh”, tha mes tjerash Filipçe, duke shtuar se “të mbash një maskë dhe të mbash distancë është një sakrificë shumë e vogël krahasuar me gjithçka tjetër”.

Dje, Maqedonia e Veriut regjistroi rekord të ri prej 1.285 rastesh të tjera me COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga ky virus në 38.782.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, në vend gjatë ditës së fundit po ashtu u regjistruan 14 viktima, me çka numri i viktimave nga ky virus është rritur në 1.110.

Kategoritë
LajmeRajoni