Qindra qytetarë kanë protestuar në Tiranë me thirrjet “Drejtësi për Klodianin”, ndërkohë protestuesit kanë shkaktuar edhe incidente dhe tensione, duke dëmtuar tabelat e sinjaleve rrugore dhe objekte të tjera
Protestat për shkak të vdekjes së një të riu në Shqipëri pasi u plagos fillimisht gjatë ndjekjes nga policia dhe më pas ndërroi jetë në spital, vazhdojnë prej katër ditësh, duke u shoqëruar me tensione, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra qytetarë kanë protestuar në Tiranë me thirrjet “Drejtësi për Klodianin”, ndërkohë protestuesit kanë shkaktuar edhe incidente dhe tensione, duke dëmtuar tabelat e sinjaleve rrugore dhe objekte të tjera.
Protestuesit u mblodhën fillimisht para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të marshuar në drejtim të selisë së Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Për shkak të incidenteve, policia ka lëshuar gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit më pas janë shpërndarë në grupe në disa zona të kryeqytetit.
Policia e Shqipëria ka marrë masa shtesë për protestën, duke angazhuar qindra forca të policisë për të ruajtur godinat e institucioneve.
Pas dorëheqjes që dha ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, protestuesit kërkojnë dorëheqjen edhe të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, si dhe reformimin e policisë.
Ngjarja në të cilën humbi jetën i riu
Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari Klodian Rasha ka ndodhur më 8 dhjetor në Tiranë në orarin që përkonte edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Sipas autoriteteve të Shqipërisë, pas thirrjes së policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit të policisë dhe ka tentuar të largohet dhe gjatë ndjekjes ai është plagosur dhe më pas ka humbur jetën në spital.
Ngjarja ku mbeti i vdekur i riu në Tiranë shkaktoi reagime të shumta të zyrtarëve, partive politike, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Për punonjësin e policisë Nevaldo Hajdaraj i cili akuzohet se gjatë shërbimit ka qëlluar me armën e shërbimit të riun, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën “arrest me burg”.
















