Shqipëri, vazhdojnë protestat për vdekjen e një të riu pas ndjekjes nga policia

Policia ka lëshuar gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët për ditën e tretë radhazi protestojnë, pavarësisht masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19)

Në Shqipëri janë mbajtur përsëri protesta për shkak të vdekjes së një të riu pasi u plagos fillimisht gjatë ndjekjes nga policia dhe më pas ndërroi jetë në spital, protesta të cilat janë shoqëruar edhe me tensione, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit, kryesisht të rinj, ashtu si në dy protestat e kaluara në Tiranë janë mbledhur fillimisht para ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, për të vazhduar më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në zona të tjera të kryeqytetit, ku janë shënuar tensione, pasi protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të tjera ndaj punonjësve të policisë.

Policia ka lëshuar gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët për ditën e tretë radhazi protestojnë, pavarësisht masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), ku ndalohen grumbullimet me mbi 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura.

Pas dorëheqjes që dha ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, protestuesit kërkojnë dorëheqjen edhe të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, si dhe, sipas tyre, ndalimin e dhunës policore dhe reformimin e policisë.

Ngjarja në të cilën humbi jetën i riu

Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari Klodian Rasha ka ndodhur më 8 dhjetor në Tiranë në orarin që përkonte edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Sipas njoftimit zyrtar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë (SHÇBA), pas thirrjes së policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit të policisë dhe ka tentuar të largohet. Theksohet se në ndjekje e sipër, punonjësit e policisë kanë konstatuar se i riu kishte me vete një send në dukje armë zjarri.

Sipas SHÇBA-së, një nga punonjësit e policisë pasi nuk ka arritur ta kapë dhe prangosë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij, ku për pasojë 25-vjeçari është plagosur dhe më pas ka humbur jetën në spital.

Gjithashtu thuhet se veprimet e punonjësit të policisë bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit, ndërkohë është arrestuar edhe punonjësi i policisë në fjalë për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari në Tiranë shkaktoi reagime të shumta të zyrtarëve, partive politike, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Kategoritë
LajmeRajoni