Shënohet rekord i rasteve të reja me COVID-19 në Shqipëri, merren masa shtesë

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura dhe të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet

Në Shqipëri në 24 orët e fundit janë regjistruar 6 të vdekur dhe 694 raste të reja pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19), numër rekord i rasteve ditore që nga shpërthimi i pandemisë, ndërkohë janë marrë masa shtesë për parandalimin e përhapjes së virusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi se që nga fillimi i pandemisë numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend është rritur në 29.126 dhe numri i të vdekurve në 637.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 351 qytetarë, duke e rritur në 13.804 numrin e të shëruarve në vend, ndërsa raste aktive aktualisht janë 14.685.

Institucionet shëndetësore në Shqipëri kanë kryer gjithsej 160.451 testime për personat e dyshuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë.

Masa shtesë kundër përhapjes së COVID-19

Ndërkohë nga ana tjetër, Komiteti Teknik i Ekspertëve në një deklaratë për mediat theksoi se ka vlerësuar se është e nevojshme të ketë masa shtesë të intensitetit mesatar për të frenuar përhapjen e infeksionit.

Ky komitet ka vendosur që të ndalohen nga sot grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura dhe të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet.

Gjithashtu ky komitet ka vendosur që të ndalohen konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore deri në një urdhër të dytë.

Në Shqipëri gjithashtu vazhdon zbatimi i disa masave të tjera për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, si kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe ndalimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve nga ora 22:00 deri në ora 06:00 në gjithë vendin dhe mësimi online në universitete.

Kategoritë
LajmeRajoni