Rëndohet gjendja shëndetësore e trajnerit të Kukësit i infektuar me COVID, dërgohet në Turqi

Trajneri i Kukësit, Skënder Gega ka rezultuar pozitiv me Covid-19 para dy javësh, por gjendja e tij shëndetësore është rënduar më shumë, kështu duke u dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Turqi.

Së pari lajmin e ka konfirmuar vetë klubi përmes një komunikate në rrjetin social “Facebook” duke treguar për gjendjen e trajnerit Gega dhe duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë.

“KF Kukësi njofton se trajneri Skënder Gega ka udhëtuar në mëngjesin e sotëm për në Turqi. Gjendja shëndetësore e tij u rëndua ditëve të fundit, dhe për një trajtim më të specializuar për mushkëritë, ai ka udhëtuar drejt Stambollit. Klubi i uron trajnerit shërim sa më të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në krye të skuadrës”, ka njoftuar KF Kukësi në “Facebook”.

Gjithashtu, presidenti i FSHF-së Armando Duka u shpreh se Gega do ta fitojë edhe këtë betejë, siç ka bërë gjatë gjithë jetës së tij.

“Jemi të gjithë me ty në këto çaste delikate dhe të vështira. Jam i bindur që ti do ta fitosh edhe këtë betejë, siç ke bërë gjatë gjithë jetës tënde”, tha Duka.

Kategoritë
Sport