Reagon presidenti Meta mbi vendimin e Greqisë për ujrat

Më tej, në reagim thuhet: “Deri në këto momente, nuk kam asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare, që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe, nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas miratimit nga Greqia të dekretit për zgjerimin me 12 milje në detin Jon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes një reagimi zyrtar, presidenti Meta deklaron se ka autorizuar Plotfuqinë për Negocim Nr. 733, në emër të Republikës së Shqipërisë, të ekipit negociator me përbërjen e 13 anëtarëve për negocimin e “Projekt-marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.

“Duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik shqiptar mbi aktin më të fundit të nxjerrë nga autoritetet më të larta të Republikës së Greqisë dhe pasojat e mundshme të tij ndaj vendit tonë, dëshiroj të evidentoj si vijon: Në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive të mia dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr. 15/2010, kam autorizuar Plotfuqinë për Negocim Nr. 733, në emër të Republikës së Shqipërisë, të ekipit negociator me përbërjen e 13 anëtarëve për negocimin e ‘Projekt Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare’, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve”, datë 19.03.2018”, thuhet në reagimin e presidentit Meta.

“Gjatë gjithë kohës, kam ofruar të gjithë bashkëpunimin në këtë proces, duke siguruar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet më tej në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës.

Më tej, në reagim thuhet: “Deri në këto momente, nuk kam asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare, që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe, nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare”.

Sipas presidentit Meta, për çdo zhvillim, që lidhet drejtpërdrejt apo ndikon në procesin e negociatave për delimitimin e hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, ka kërkuar informacion shterues dhe analizë të plotë të qeverisë shqiptare, sipas përgjegjësive, që i takojnë sipas ligjit.

“I rikujtoj edhe një herë përfaqësuesve të institucioneve në të gjithë nivelin hierarkik shtetëror, detyrimin dhe përgjegjësinë për përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre kushtetuese dhe ligjore, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare”, theksoi Meta.

Gjithashtu Presidenti Meta i siguron të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e tij dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar.

Kujtojmë se në prill të vitit 2018, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë konfirmoi zyrtarisht fillimin e bisedimeve për kufizimin e zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërkohë mes palëve ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mbi kufizimin e zonave detare dhe negociatat janë ndërprerë.

Kategoritë
LajmeRajoni