“Më e keqja kaloi, tani jemi vënë në kontakt me autoritetet në Turqi për ta çuar në spitalin e specializuar që kanë për ushtarakët e plagosur”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, teksa vizitoi efektivin e plagosur.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar në spital efektivin e policisë, Fadil Allaraj, i cili u plagos në sy gjatë protestave në Tiranë, ndërkohë theksoi se janë në kontakt me autoritetet në Turqi për ta çuar në një spital të specializuar, raporton Anadolu Agency(AA).
Duke iu drejtuar familjarëve të efektivit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, Rama tha se do të bëjnë maksimumin dhe theksoi se “ministrja (e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu) ka qenë në kontakt me miqtë tanë në Turqi për ta çuar në spitalin e specializuar që kanë për ushtarakët.”
“Më e keqja kaloi, tani jemi vënë në kontakt me autoritetet në Turqi për ta çuar në spitalin e specializuar që kanë për ushtarakët e plagosur”, tha Rama, teksa vizitoi efektivin e plagosur.
Allaraj u plagos gjatë protestës së organizuar më 9 dhjetor në Tiranë për shkak të vdekjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha pasi u plagos fillimisht gjatë ndjekjes nga policia dhe më pas ndërroi jetë në spital.
Protestat që vazhdojnë për ditën e tretë radhazi janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ku si pasojë janë lënduar policë dhe qytetarë.
Në lidhje me ngjarjen ku mbeti i vdekur i riu, dha dorëheqje ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj.
Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari ndodhi më 8 dhjetor në Tiranë dhe shkaktoi reagime të shumta të zyrtarëve, partive politike, si dhe aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve të cilët vazhdojnë protestat.
















