Protestë e dhunshme në Shkodër, reagon kryeministri Rama

Një grup protestuesish, kryesisht të rinj, kanë sulmuar zyrën e PS-së me sende të forta, duke shkatërruar ambientet dhe pajisjet e saj, ndërkohë iu kanë vërë zjarrin edhe materialeve të zyrës.

Gjatë një proteste të organizuar në qytetin e Shkodrës për vdekjen e të riut pas ndjekjes nga policia janë sulmuar dhe shkatërruar zyrat e degës lokale të Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta në sheshin “Luigj Gurakuqi” filloi paqësore me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, me thirrjet për të kërkuar drejtësi për vdekjen e riut, por situata u përshkallëzua në aktet e dhunës.

Një grup protestuesish, kryesisht të rinj, kanë sulmuar zyrën e PS-së me sende të forta, duke shkatërruar ambientet dhe pajisjet e saj, ndërkohë iu kanë vërë zjarrin edhe materialeve të zyrës.

Gjatë sulmeve ndaj zyrës lokale të partisë në pushtet ka ndërhyrë policia për shpërndarjen e protestuesve, duke përdorur edhe gaz lotsjellës.

Reagon kryeministri Rama

Në lidhje me ngjarjen në Shkodër ka reaguar edhe kryeministri Rama, i cili në rrjetet sociale shkruan se “Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve. Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme”.

Pas vdekjes së 25-vjeçarit, në Shqipëri u organizuan protesta që u përfshinë edhe nga aktet e dhunës dhe që shkaktuan dëme materiale në ndërtesat e institucioneve dhe objekteve të tjera.

Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari Klodian Rasha ka ndodhur më 8 dhjetor në Tiranë në orarin që përkonte edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Për punonjësin e policisë, Nevaldo Hajdaraj i cili akuzohet nga autoritetet se gjatë shërbimit në Tiranë ka qëlluar me armën e shërbimit të riun, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën “arrest me burg”.

Ngjarja ku mbeti i vdekur i riu në Tiranë shkaktoi reagime të shumta të zyrtarëve, partive politike, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Kategoritë
LajmeRajoni