Pahor: Lajçak në mars më pyeti nëse do të bëhesha emisar i dialogut Kosovë-Serbi, por diçka ndryshoi në Bruksel

Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Ky vendim, për të cilin më herët ishin marrë vesh vendet anëtare me kërkesë të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tashmë është formal.

Për këtë ka folur ish-presidenti slloven, Borut Pahor, i cili ka shprehur publikisht interesimin e tij për ta marrë në dorë drejtimin e dialogut Kosovë-Serbi si përfaqësues i Bashkimit Evropian.

Ai ka treguar se në mars kishte marrë ftesë nga emisari aktual, Miroslav Lajçak për të diskutuar rreth kësaj çështje, por siç thotë diçka ndryshoi më pas në Bruksel.

“Në mars, unë u ftova në Bruksel për të parë të dërguarin special, Miroslav Lajčák, i cili më pyeti nëse do të isha i gatshëm të konsideroja vazhdimin e punës së tij nëse do të më jepej mandati i Këshillit të BE-së. Mora pak pushim. Edhe atëherë isha i vetëdijshëm për të gjitha grackat që e presin atë që merr përsipër këtë detyrë, por vendosa ta bëj. E dija se nuk do të funksiononte pa mbështetjen e aktorëve kryesorë në politikën sllovene. Ata ma dhanë, për të cilën i jam mirënjohës”.

“Por më pas diçka ndryshoi në Bruksel. Nuk i di të gjitha arsyet pse. Procesi i përzgjedhjes nuk ishte përfunduar tashmë në maj, siç u tha fillimisht, por këshilli (i ministrave të jashtëm të BE-së; vendosi në qershor të zgjasë mandatin e Lajçak për gjysmë viti, pra deri më 31 janar”, ka thënë Pahor, në një intervistë dhënë së fundi për “N1” slloven.

Ai ka thënë se është i gatshëm ta marrë këtë pozitë, kur t’i ofrohet.

“Unë jam i gatshëm për këtë pozitë, nëse emërohem. Sidoqoftë, bazuar në më shumë se 30 vite eksperiencë jashtë dhe brenda, për mua është e qarta që do ta kishte më të lehtë nëse procesi i përzgjedhjes do të bëhej në maj”.

“Në të njëjtën kohë, i them Brukselit: Unë jam këtu me përvojën time, arritjet, njohuritë dhe autoritetin e dikujt që pranohet si ndërmjetës i ndershëm në Kosovë, Serbi dhe Ballkanin Perëndimor. Si dikush që e zgjidhi problemin me Kroacinë në mënyrë paqësore, normalizoi marrëdhëniet me Serbinë kur Sllovenia njohu Kosovën dhe pati një përshkallëzim, dhe si dikush që themeloi dhe udhëhoqi procesin Brdo-Brioni. Unë mendoj se dikush me atë lloj përvoje që vjen nga afërsia e këtij rajoni mund të bëjë ndryshimin dhe mund të jetë një ‘ndryshues i lojës’”, ka thënë Pahor.

Tutje ai ka thënë se BE-ja ka një gjykim tjetër dhe dëshiron një diplomat për ta marrë pozitën, do ta respektojë këtë.

“Por, nëse ata vendosin ndryshe, nëse ata gjykojnë që një politikan me eksperiencën e kryeministrit dhe presidentit të Republikës mund të jetë shumë, ose nuk është i përshtatshëm se është politikan, dhe duan një diplomat, e kuptoj, e respektoj dhe vazhdoj punën time tjetër. Do të qëndroj deri në fund, por do ta kuptoj rezultatin. Nuk jam një që dorëzohet. Po garoj për këtë, sepse mendoj që kam referencat që më bëjnë më të mirin në këtë çështje”, ka deklaruar Pahor.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi