Nënat e Srebrenicës: Vaj halli për ne nëse mohuesit e gjenocidit fitojnë përsëri

“U ktheva në Potoçarin tim dhe shumë mirë e di se çka na pret nëse në krye të Srebrenicës për katër vite të tjera mbetet personi që mohon gjenocidin”, tha Hajra Çatiç.

Mesazhi kryesor i tubimit tradicional të nënave dhe grave të Srebrenicës dhe Podrinjes në Tuzëll, Bosnjë e Hercegovinë, çdo të 11-ën ditë të muajit edhe sot ishte e vërteta dhe drejtësia për viktimat e gjenocidit dhe dënim për urdhërdhënësit dhe autorët e krimeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Por, pasi që të dielën janë caktuar zgjedhjet lokale në BeH, Hajra Çatiç, kryetarja e Shoqatës “Gratë e Srebrenicës”, shprehu indinjatën e saj për faktin se ditëve të kaluara ka mundur të lexojë informacione rreth paralajmërimeve për intrigat zgjedhore.

“Vaj halli për ne nëse mohuesit e gjenocidit sërish fitojnë zgjedhjet. Shohim se është aktivizuar makineria, se po regjistrohen votues nga Serbia të cilët nuk kanë kurrfarë lidhje me Srebrenicën. Unë jam kthyer në Potoçarin tim dhe shumë mirë e di se çka na pret nëse në krye të Srebrenicës për katër vite të tjera mbetet personi që mohon gjenocidin”, ka thënë Hajra Çatiç.

Nura Begoviç, po ashtu, e kthyer në Srebrenicë, u bëri thirrje bashkëvendasve të saj të dalin në zgjedhje dhe gjithçka të rrjedhë në një atmosferë korrekte.

“Neve edhe pas zgjedhjeve na pret lufta jonë. Kërkimi i çdo ashti të më të dashurve tanë. Të vërtetën dhe drejtësinë e presim për 25 vite dhe nuk do të heqim dorë”, tha Nura Begoviç.

Pas leximit të Fatihas, nënat dhe gratë e Srebrenicës dhe Podrinjes u shpërndanë në shtëpitë e tyre, ku më së shpeshti janë vetëm.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet