Në atmosferë euforike priten lojtarët e Maqedonisë së Veriut pas kualifikimit në Kampionatin Evropian

“Maqedonas, shqiptarë, turq, në të njëjtën fanellë, nën një flamur, për atdheun e përbashkët. Kjo tregon se vetëm së bashku mundemi. Një për të gjithë, të gjithë për një”, tha kryeministri Zaev.

Në vendkalimin kufitar Bllacë, në orët e para të mëngjesit nga përfaqësuesit e lartë të Qeverisë është pritur përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll e cila arriti nga Gjeorgjia, pas ndeshjes në të cilën fitoi dhe për herë të parë në histori siguroi kualifikimin në Kampionatin Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Për shkak të kushteve të këqija të motit, skuadra e Maqedonisë së Veriut nga Tbilisi nuk mund të zbarkonte në Aeroportin ndërkombëtar në Shkup, ku ishte caktuar pritja zyrtare me rastin e suksesit të tyre historik. Më pas, pritja u organizua nga qeveria në pikën kufitare të Bllacës. Anëtarët e ekipit kombëtar u mirëpritën nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministri i parë përgjegjës për sistemin politik dhe marrëdhëniet midis komuniteteve, Artan Grubi.

Në atmosferë euforike, të pranishmit i përshëndeti kryeministri Zaev i cili i uroi futbollistët duke theksuar se kanë arritur sukses historik.

“Këtë gëzim të madh e sollën heronjtë e futbollit maqedonas të cilët lanë zemrat e tyre në stadiumin në Tbilisi dhe sollën këtë fitore të madhe që historia maqedonase nuk e mban mend deri më tani. Me këtë, ekipi kombëtar i futbollit maqedonas fitoi shans për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të futbollit për herë të parë”, tha Zaev duke shtuar se:

“Të gjithë qytetarët janë të lumtur për këtë sukses të madh. I gjithë vendi po feston. Një gol për të gjithë, një fitore për të gjithë, është e mundur vetëm së bashku. Maqedonas, shqiptarë, turq, në të njëjtën fanellë, nën një flamur, për atdheun e përbashkët. Kjo tregon se vetëm së bashku mundemi. Një për të gjithë, të gjithë për një”, tha kryeministri Zaev.

“Sonte, unë dhe zëvendës kryeministri i parë, Artan Grubi, jemi këtu për të ndarë gëzimin edhe të qeverisë sonë, e cila mbajti një seancë të veçantë për të nderuar dhe respektuar ekipin tonë kombëtar të Maqedonisë së Veriut dhe morëm një vendim në emër të qeverisë dhe në emër të të gjithë qytetarëve. anëtarët e ekipit kombëtar të futbollit të marrin shpërblim prej 10 mijë euro secili”, tha Zaev.

Trajneri i Maqedonisë së Veriut, Igor Angellovski falënderoi për pritjen e organizuar me rastin e suksesit të arritur nga ekipi kombëtar.

“Jemi të lumtur që arritëm ta bashkojmë popullin, sepse ne në ekipin kombëtar kemi jetuar kështu për pesë vjet, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare dhe çfarëdo përkatësie. Ishim një familje e madhe dhe e gjithë kjo na solli sukses, ndërsa ai është kualifikimi në Kampionatin Evropian. Jam i lumtur të punoj me lojtarë të tillë dhe shpresoj se do të presim suksese edhe më të mëdha sportive”, tha Angellovski.

Kapiteni i ekipit kombëtar, Goran Pandev tha se lojtarët kanë bërë një rrugë të gjatë për të arritur qëllimin e quajtur kualifikimi në Kampionatin Evropian të futbollit.

“Ëndrra jonë u realizua, të gjithë të gëzohemi së bashku dhe të marrim pjesë me fitore në këtë Kampionat Evropian. E dimë të gjithë se kaluam një rrugë të gjatë për të arritur deri në këtë Kampionat Evropian. Djemtë e merituan këtë kampionat. Jemi të lumtur dhe në ditët në vazhdim do ta kuptojmë se jemi në Kampionatin Evropian”, tha Pandev.

I pyetur nga gazetarët që ta përshkruaj ndjenjën me rastin e suksesit të arritur, ai u përgjigj:

“Nuk besoja se në moshën 38 vjeçare do të kualifikohem në Kampionat Evropian. Jam i lumtur, dëshira m’u realizua jo vetëm mua por të gjithëve. Ëndrra jonë u realizua, tani duhet të tregojmë paraqitje të mira. Besoj te këta djem, kanë cilësi dhe njohuri dhe mendoj se do të jemi befasi e madhe në këtë kampionat”.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini në adresimin dërgoi urata deri tek kombëtarja për të cilën tha se “Heronjtë sollën fitore e cila do të shkruhet me shkronja të arta”.

Rikujtojmë se ekipi kombëtar i Maqedonisë së Veriut në Tbilisi të Gjeorgjisë në ndeshjen e “play-off”-it për kualifikim në “EURO-2020”, fitoi me golin e kapitenit Goran Pandev.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Kampionati Evropian në futboll (EURO 2020) është anuluar për vitin 2021.

Maqedonia e Veriut do të luajë në kuadër të grupit C së bashku me Holandën, Austrinë dhe Ukrainën. Qytetet nikoqire të ndeshjeve të këtij grupi do të jenë Bukureshti dhe Amsterdami.

Kategoritë
LajmeRajoni