Ndihet tërmet i ri në Maqedoninë e Veriut

Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) njoftoi se epiqendra e tërmetit ishte 19 kilometra larg nga qyteti i Gostivarit. Tërmeti ka ndodhur në thellësi prej 10 kilometrash

Një tërmet i ri me intensitet 4,9 ballë sipas Rihterit është ndjerë sërish në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) njoftoi se epiqendra e tërmetit ishte 19 kilometra larg nga qyteti i Gostivarit. Tërmeti ka ndodhur në thellësi prej 10 kilometrash.

Një tërmet me intensitet 5 ballë u regjistrua këtë mëngjes rreth orës 5:00 në afërsi të Gostivarit, 50 kilometra në jugperëndim të Shkupit.

Observatori Sizmologjik në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup tha se tërmeti më së shumti është ndjerë nga popullata në Gostivar dhe Mavrovë me 5 ballë sipas shkallës makrotizmike evropiane, në Tetovë dhe Shkup me 4 ballë dhe në Manastir, Prilep dhe zonat përreth me 3 ballë.

Tërmeti u ndje edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Observatori Sizmologjik në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup njoftoi se tri tërmete të tjera me intensitet midis 3 dhe 4 ballë u regjistruan sot në vend, ndërsa gjatë ditës u regjistruan tridhjetë dridhje më të dobëta.

Sipas informacioneve të deritanishme, qytetarët nuk kanë raportuar lëndime ose dëme materiale të shkaktuara nga tërmetet.

Kategoritë
LajmeRajoni