Miratohet komisioni mbi verifikimet ndaj pretendimeve rreth veprimtarisë së UÇK-së në Shqipëri

Sipas Kuvendit të Shqipërisë, bëhet fjalë për shqyrtimin e verifikimeve që kanë kryer institucionet e Shqipërisë mbi çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Dick Marty

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për hartimin e një raporti mbi verifikimet e pretendimeve rreth veprimtarisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi për ngritjen e këtij komisioni është miratuar me 83 vota pro dhe 10 kundër, gjatë seancës së sotme parlamentare, sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë.

Raporti që duhet përgatisë komisioni sipas deputeteve propozues të Partisë Socialiste të Shqipërisë duhet të përfshijë gjetjet dhe konkluzionet e verifikimeve të kryera nga institucionet në Shqipëri mbi pretendimet rreth veprimtarisë së UÇK-së në territorin e Shqipërisë.

Sipas Kuvendit të Shqipërisë, bëhet fjalë për shqyrtimin e verifikimeve që kanë kryer institucionet e Shqipërisë mbi çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Dick Marty, mbi rolin e përfaqësuesve politikë dhe institucioneve publike shqiptare, siç theksohet nga ky institucion, “në ndihmë të të ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në territorin e Shqipërisë”.

Komisioni ka si objektiv administrimin e dokumentacionit të verifikimeve dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues.

Kujtojmë se APKiE më 25 janar 2011 ka miratuar rezolutën për “Investigime për trajtim çnjerëzor dhe trafik të paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë”, bazuar në raportin e anëtarit Marty, ku pretendohet për rolin dhe bashkëpunimin e përfaqësuesve politikë dhe institucioneve publike të Shqipërisë në “veprimtarinë e UÇK-së në Shqipëri”.

Kategoritë
LajmeRajoni