Ministria e Jashtme e Kosovës: Tërheqja e njohjeve, propagandë e Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kërkon nga opinioni publik, por edhe nga media, që të mos bien pre e lajmeve të rreme që vijnë nga Serbia, në lidhje me pretendimet për gjoja gatishmërinë e disa shteteve për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

MPJD në një komunikatë për media thekson se rikthimi i debatit dhe propagandës së Beogradit, përmes lajmeve të rrejshme, duke shfrytëzuar konceptin e ashtuquajtur “çnjohje”, është ringjallur me qëllim të krijimit të konfuzionit në opinionin publik, në kohën kur Kosova po kalon në periudhë tranzicioni të konsolidimit institucional pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Megjithëkëtë, në lidhje me pretendimet se disa shtete mund të marrin vendim për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, MPJD bën të ditur se ato janë spekulime dhe pjesë e fushatës së Serbisë për të dëmtuar subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

MPJD ka komunikim të vazhdueshëm me të gjitha vendet njohëse, përmes kanaleve të saj diplomatike, diplomatëve të saj dhe përmes shteteve aleate, dhe dëshirojmë t’ju bëjmë të ditur se asnjë prej vendeve që janë përfolur nga mediet serbe, as që e kanë diskutuar mundësinë për ndryshim të pozicionit në raport me Republikën e Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi