Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizmit vizitë në Shqipëri

“Ne mobilizuam të gjitha njësitë tona për t’i ardhur në ndihmë popullit shqiptar me porosi të veçantë të presidentit Erdoğan”, tha ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizmit, Kurum në takimin me ministrin e Rindërtimit të Shqipërisë, Ahmetaj.

Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizmit, Murat Kurum, po realizon një vizitë në Shqipëri, ndërkohë ai është takuar me ministrin e Rindërtimit në Qeverinë e Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ku në fokus të diskutimeve të tyre ishte projekti i financuar nga Turqia për banesat, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin që u realizua në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe zyrtarë të tjerë.

Ministri Kurum, duke shprehur falënderimet për mikpritjen, tha gjatë takimit se ai përcjellë përshëndetjet e përmzemrëta të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

“Ne mobilizuam të gjitha njësitë tona për t’i ardhur në ndihmë popullit shqiptar me porosi të veçantë të presidentit Erdoğan. Në këtë kuadër duke bashkëpunuar shumë ngushtë me palën shqiptare në korrik firmosëm marrëveshjen për konkretizimin e këtij projekti (projekti për banesat) dhe në gusht filluam menjëherë nga puna. Ne duam siç ju kemi premtuar brenda një viti nga fillimi punimeve t’iu dorëzojmë njësitë e banimit”, tha ministri Kurum.

Ministri turk theksoi më tej se “Zemrat e popullit turk dhe popullit shqiptar janë dhe rrahin bashkë”, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në të gjithë sektorët.

Ministri Ahmetaj tha se mezi e kanë pritur këtë vizitë dhe sipas tij projekti është në një fazë të avancuar.

“Falënderoj presidentin Erdoğan, qeverinë turke dhe popullin turk. Jemi në një fazë të avancuar të projektit”, tha Ahmetaj.

Gjatë ditës së nesërme ministri turk do të vizitojë kantierin e ndërtimit të banesave në Laç për familjet që u prekën nga tërmeti i vitit të kaluar, ku edhe në prezencë të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Shqipërisë do të mbahet ceremonia për themelet e ndërtesave të reja.

Projekti që përfshin ndërtimin e 522 apartamenteve zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit, po realizohen nga kompania Albayrak.

Kategoritë
LajmeRajoni