Kuvendi i Kosovës arritur të miratoj Projektligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave. Pro këtij Projektligji votuan 59 deputet kurse 2 të tjerë abstenuan.
Deputetët që abstenuan ishin Dimal Basha dhe Eman Rrahmani.
E kryetari i Komisionit Parlamentar për Media, Valon Ramadani u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë.
“Komisioni Parlamentar për Media ka gjashtë muaj që e shqyrton këtë Projektligj. Kemi pasur komente të shumta nga organizatat vendore, shoqëria civile, OSBE, BE dhe Këshilli i Evropës. I kemi shqyrtuar këto komente dhe janë 93 amendamente që e ndryshojnë edhe në përbërje këtë Projektligj. Ju ftoj ta votoni”, tha Ramadani.
Kuvendi i Kosovës, gjithashtu ka votuar në lexim të dytë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Ky Projektligj u votua me 61 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Partitë opozitare nuk ishin prezente në sallë kur u votuan këto dy Projektligje. Të njëjtat sot kërkuan që këto dy Projektligje si dhe ai për shërbyesit civil të hiqeshin nga rendi i ditës pasi që kanë përmbajtje antikushtetuese.
Por, kjo kërkesë e partive opozitare nuk kaloi.
Organizatat joqeveritare nuk e kanë mbështetur Ligjin për KPM-në, meqë kanë thënë se nuk janë marrë parasysh 80 për qind e rekomandimeve të Këshillit të Evropës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte thënë se nëpërmjet projektligjit për KPM-në, pushteti po synon kapjen e mediave.
Ky projektligj, i dorëzuar më 27 dhjetor 2023, parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio e video materiale.
Ndërkaq, Kuvendi nuk arriti ta miratoj në lexim të dytë ligjin për Zyrtar Publikë dhe si i tillë është bartur për një seancë të ardhshme. /Telegrafi/