Maqedonia e V., Shqipëria dhe Serbia me memorandum bashkëpunimi për COVID-19

Shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë do të mund të lëvizin në këto vende pa test negativ për koronavirus, dhe nëse preken nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus, do të mund të marrin shërbime në spitalet e këtyre tre vendeve.

Shteti ku trajtohet pacienti eventual, obligohet t’i mbulojë shpenzimet e trajtimit.

Kështu thuhet në memorandumin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis Serbisë, Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, për bashkëpunimin në luftën kundër COVID-19.

Memorandumi është arritur në kuadër të takimit koordinativ online, të njohur si konferenca për ‘Shengenin Ballkanik’, në cilën morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë, Edi Rama e Ana Bërnabiq, në prani të ministrave të Shëndetësisë të këtyre tri vendeve.

Njëherësh është arritur dhe marrëveshje ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Serbisë mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve vetëm me karta të identitetit.

Me këtë rast, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka theksuar se Republika e Kosovës tashmë ka pranuar ftesën për bashkëpunim rajonal.

“Më vjen mirë që edhe Kosova ka pranuar ftesën dhe i është bashkangjitur procesit, për thellim të bashkëpunimit rajonal, ndërsa besoj që shumë shpejt do të na bashkëngjiten edhe Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi”, ka theksuar Zaev, i cili ka qenë nikoqir i kësaj konference.

Ai ka theksuar rendësin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë për lëvizjen e qytetarëve vetëm me letërnjoftime.

“Shtetasit tanë tashmë disa vjet kanë mundësinë të udhëtojnë me kartë identiteti në Shqipëri dhe Serbi. Sot dua ta përshëndes marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë, me çka shtetasit e dy vendeve do të mund të udhëtojnë vetëm me kartë identiteti. Marrëveshje të këtilla e forcojnë bashkëpunimin rajonal”, ka theksuar kryeministri maqedonas.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq ka theksuar se me shumë rëndësi është vendet e rajonit të arrijnë marrëveshje, që mos i mbyllin kufijtë, por bashkërisht të punojnë sa i përket menaxhimit të krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

“Me shumë rëndësi është ajo për çka arritëm marrëveshje që mos i mbyllim kufijtë mes vete, por bashkërisht të tejkalojmë këtë krizë, dhe bashkërisht të luftojmë kundër infeksionit të pandemisë,” ka thënë Vuçiq duke nënvizuar se memorandumet duhet të funksionojnë dhe në blerjen e vaksinës kundër COVID-19.

Ndërkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka theksuar se vendet e rajonit duhet të sillen si vende që synim kanë të ardhmen.

Me këtë dokument të trija vendet, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, zotohen se do të shkëmbejnë përvoja dhe do të bashkëpunojnë ngushtë në luftën kundër koronavirusit.

Njëherësh është theksuar dhe rëndësia e vazhdimit të shkëmbimit ekonomik dhe tregtar mes këtyre shteteve.

Kategoritë
LajmeRajoni