Fetahu mori zyratrisht detyrën me dorëzimin e dekretit solemn pas mbajtjes së zgjedhjeve më 18 nëntor, ndërsa në ceremoni morën pjesë përfaqësues politikë, fetarë dhe të përfaqësive të huaja
Nëpërmjet një ceremonie solemne, Shaqir Fetahu, i cili para disa ditësh u zgjodh kryetar i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, sot zyrtarisht mori detyrën në këtë post me dorëzimin e dekretit, “Menshurës”, nga ana e Rijasetit të BFI-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Në manifestimin e mbajtur në Xhaminë Mustafa Pasha në Shkup morën pjesë përfaqësues të BFI-së, përfaqësues të institucioneve shtetërore të vendit, duke filluar nga Sekretari Gjeneral i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zeqiri, në cilësinë e përfaqësuesit të kryeministrit Zoran Zaev, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave, Arianit Hoxha, zv/ministra, deputetë, kryetarë të komunave dhe zyrtarë tjerë, kryetarë dhe përfaqësues të partive politike të vendit, subjekteve shqiptare, turke, rome dhe boshnjake.
Në ceremoni po ashtu morën pjesë përfaqësues të bashkësive fetare të rajonit dhe pjesëtarë të përfaqësive të huaja në vend, përfshirë nga Turqia, si këshilltari i Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë, Murat Alkan, drejtori i Institutit Yunus Emre Shkup, Serhat Kula, dhe drejtori i Fondacionit Maarif të Turqisë për Maqedoninë e Veriut, Mustafa Dillioğlu.
Pas leximit të dekretit solemn “Menshura” në shtatë gjuhë, Fetahu bëri betimin për të marrë zyrtarisht postin.
Ndryshe, Shaqir Fetahu u zgjodh kryetar i BFI-së në zgjedhjet e mbajtura nga ky organ fetar më 18 nëntor, pasi shërbeu si ushtrues detyre deri në realizimin e votimit.
Shpallja e zgjedhjeve nga ky institucion fetar u njoftua më 13 nëntor, kur edhe shpalli kushtet për paraqitjen e kandidaturave. Më 17 shtator, Komisioni Zgjedhor i BFI-së mbajti një takim për të shqyrtuar kandidaturat e marra për zgjedhjen e kryetarit të BFI-së, ku nga tri kandidatura të paraqitura u verifikuan vetëm dy, ajo e Fetahut, dhe Qani Nesimit, myftiut të Tetovës.
Kujtojmë se më 27 maj, Rijaseti i BFI-së mbajti një seancë të jashtëzakonshme në të cilën vendosi të shkarkojë kreun e atëhershëm, Sulejman Rexhepi, dhe siç njoftuan atëkohë “deri në përgatitjen e kushteve për zgjedhje të reja ushtrues i detyrës do të jetë Shaqir Fetahu, mufti i Gostivarit”.
Më 30 maj, Rexhepi njoftoi në një deklaratë me shkrim njoftoi se jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të BFI-së.