Lista Serbe mbështet deklaratën e Vuçiqit, reagimet nga Kosova i quan skizofrenike

Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt nëse përpjekjet për paqe dështojnë, nxiti reagime të shumta në Kosovë.

E këto reagime të skenës politike kosovare në Serbi i cilësuan si histerike.

Madje Lista Serbe ka thënë se deklaratat dhe kërcënimet skizofrenike drejtuar presidentit Vuçiq, i cili bën thirrje për paqe, tregojnë se populli shqiptar në Kosovë ka mbetur në duart e politikanëve të pa pjekur në shekullin 21 kur edhe po jetojmë.

Lista Serbe ka thënë se mbështet pikëpamjet e presidentit Vuçiq se të gjithë në Ballkan kanë nevojë për paqe.

“Mos sinqeriteti i zyrtarëve të Prishtinës kur bëhet fjalë për dialog, ruajtjen e paqes dhe vendosjen e vlerave evropiane në Kosovë, më së miri janë përfaqësues me sulmet e sotme histerike ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq. Deklaratat dhe kërcënimet skizofrenike drejtuar presidentit Vuçiq, i cili bën thirrje për paqe dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian, tregojnë se sa populli shqiptar në Kosovë ka mbetur në duart e politikanëve të pa pjekur në shekullin 21 kur edhe po jetojmë”, thuhet në një njoftim të Listës Serbe.

Lista Serbe madje ka thënë se thirrja për ndërhyrje të NATO-s dhe insinuata të një konflikti, kërkojnë reagimin më urgjent të përfaqësuesve ndërkombëtarë të cilët duhet të ndalin liderët e frustëruar politikë nga Prishtina të cilët, për shkak të kalkulimeve politike, përdorin deklarata të lira politike për të fituar pikë politike.

“Lista Serbe ndan pikëpamjen e presidentit Vuçiq se të gjithë në Ballkan kanë nevojë për paqe, progres ekonomik, por edhe një ndryshim në retorikën e politikanëve që jetojnë të bllokuar në të kaluarën, duke rrezikuar kështu të ardhmen e qytetarëve dhe duke mashtruar qytetarët e tyre në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Reagime ndaj deklaratës së Vuçiqit pati nga kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani e cila kërkoi ndërhyrjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Reagim pati edhe nga kryeministri Avdullah Hoti i cili tha se deklaratat e tilla nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve.

Ndaj kësaj deklarate të presidentit serb reaguan edhe nga partitë tjera politike në Kosovë e po ashtu edhe ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj-Stublla.

Kategoritë
LajmeRajoni