Ligji i ri në Shqipëri: Nga sot kush rreh gruan dëbohet nga shtëpia

Burrat që dhunojnë gratë apo pjesëtarë të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa duke filluar që nga dita e sotme.

Kështu parashikojnë ndryshimet në ligjin për masat kundër dhunës në familje, miratuar nga Parlamenti në datën 15 tetor 2020.

Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në datën 3 nëntor 2020, ndërsa hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen duke filluar nga kjo e mërkurë (18 nëntor 2020).

Konkretisht, ligji i ndryshuar parashikon që, Policia e Shtetit, para se të vihet në lëvizje gjykata, urdhëron largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë.

Ligji i mëparshëm priste vendimin e gjykatës për të larguar dhunuesin nga banesa, kohë gjatë të cilës dhunuesi, kryesisht burrat, vijonin dhunën.

Me ligjin e ri, një burrë që dhunon gruan, do të largohet në kohë rekord nga banesa. Por ku do të strehohen burrat dhunues pas largimit nga banesa me anë të policisë? Qeveria do të bashkëpunojë me bashkitë për të siguruar strehë për burrat dhunues.

Ndërkaq, pas ndërhyrjes së policisë, do të vihet në lëvizje gjykata, e cila sipas ndryshimeve të reja ligjore, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa, për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Pra, më pas do të jetë gjykata që do të vlerësojë vendimin e policisë për largimin e dhunuesit nga banesa.

Gjykata do të shprehet edhe në vendimin emergjent apo edhe në vendin për mbrojtjen e viktimës, i cili do të jetë më i plotës dhe i arsyetuar. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe detyrimin e dhunuesve për të marrë pjesë në programe rehabilitimi psikosociale dhe në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private.

Ky detyrim do të vendoset nga gjykata në urdhrin e mbrojtjes. Sipas rasteve, gjykata urdhëron që dhunuesi të trajtohet në qendra të shëndetit mendor si dhe që të marrë shërbime të alkoologjisë, nëse është përdorues alkooli. Në këto programe mund të marrin pjesë edhe dhunuesit, të cilët po vuajnë dënimin me burg.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet