Kurti priti në takim Escobarin: Propozimi evropian bazë e mirë për të ecur përpara

Në këtë takim u diskutua për takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Zëvendës ndihmës Sekretarin e SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, raporton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, bashkë me Escobarin dhe ekipin e tij në takim ishte edhe zëvendësambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Alyson Grunder.

Në këtë takim u diskutua për takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim.

Kurti falënderoi Escobarin për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të SHBA-së në dialog.

“Propozimi evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër “të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ” si dhe me “qëllime të mira dhe besim të mirë”.

Më herët emisari Escobar u prit edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku pas takimit u shpreh optimist për takimin e kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të cilin tha se beson se “pas të shtunës do të kemi lajme të mira”.

Escobar të enjten mbrëma ka takuar edhe përfaqësuesit e partive opozitare në vend. Në këtë takim kanë marrë pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku si dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ndërsa të mërkurën qëndroi për vizitë edhe në Beograd ku u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit e opozitës atje.

Takimet e të dërguarit të SHBA-së vijnë para takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të cilët do të takohen më 18 shkurt në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Para Escobarit, Kosovën dhe Serbinë i vizitoi edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kategoritë
LajmeVendi