Kryeparlamentari Ruçi dhe ministri Cakaj reagojnë për tërmetin në Turqi

Zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, ka njoftuar se “Pas tërmetit të fortë të ditës së sotme në Egje, Ruçi u është drejtuar me telegram Kryetarit të Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop”

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i është drejtuar me telegram kryetarit të Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, pas tërmetit në Turqi, transmeton Anadolu Agency(AA).

Zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, ka njoftuar se “Pas tërmetit të fortë të ditës së sotme në Egje, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u është drejtuar me telegram Kryetarit të Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop dhe Kryetarit të Parlamentit të Greqisë, Constantine Tassoulas”.

“Me tronditje mora lajmin për tërmetin shumë të fortë që goditi sot në mesditë Samosin, Izmirin dhe zonat përreth. Në këto çaste të rënda, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjithë populli shqiptar, janë pranë popujve tanë miq e fqinj dhe shprehim dhimbjen e solidaritetin me qytetarët dhe familjarët e viktimave”, ka shkruar Ruçi në telegramin e tij.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, shkruan më tej se “Jam i bindur se kjo goditje e natyrës nuk do t’i gjunjëzojë fqinjët tanë, me të cilët kemi ndarë, ndajmë e do të ndajmë gëzimet dhe pasojat e fatkeqësive”.

Në lidhje me tërmetin ka reaguar edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili në rrjetet sociale shkruan: “Thellësisht i trishtuar kur pashë Izmirin të goditur nga tërmeti”.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me vëllezërit dhe motrat tona në Turqi. Ne po e kalojmë këtë së bashku, zemrat tona janë me Turqinë në këto momente të vështira”, shkruan Cakaj.

Fuqia e tërmetit me epiqendër Izmirin ka qenë 6,6 shkallë sipas Rihterit. Deri më tani sipas autoriteteve turke për shkak të tërmetit kanë humbur jetën 6 persona dhe janë lënduar të paktën 200 të tjerë.

Kategoritë
LajmeRajoni