Kroaci, si pasojë e COVID-19 humb jetën Miroslav Tuxhman

Miroslav Tuxhman, djali i presidentit të parë kroat Franjo Tuxhman, vdiq në moshën 75-vjeçare pas një beteje të gjatë me pasojat e koronavirusit të ri (COVID-19)

Mbrëmë në Kroaci ka ndërruar jetë shkencëtari dhe deputeti kroat Miroslav Tuxhman, djali i presidentit të parë kroat Franjo Tuxhman, raporton Anadolu Agency (AA).

Miroslav Tuxhman vdiq në moshën 75-vjeçare në Klinikën për Sëmundje Infektive “Dr. Fran Mihaljeviç” pas një beteje të gjatë me pasojat e koronavirusit të ri (COVID-19).

Gjatë periudhës së luftës në Kroaci, si dhe pas luftës, Tuxhman mbajti poste me përgjegjësi të larta si Drejtor i Shërbimit Informativ Kroat, anëtar i Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare të Presidentit të Kroacisë dhe zv/shef i Zyrës së Sigurisë Kombëtare.

Si filozof dhe sociolog i diplomuar dhe doktor i shkencave të informacionit, ai ka dhënë mësim në institucione të shumta, në Fakultetin Filozofik në Zagreb dhe Mostar, si dhe në Shkollën e Luftës në Akademinë Diplomatike dhe të Inteligjencës. Ai është autor i më shumë se 200 artikujve shkencorë, organizator i shumë konferencave profesionale dhe udhëheqës i disa projekteve kërkimore.

Zyrtarë të lartë shtetërorë i kanë shprehur ngushëllime familjes Tuxhman.

Kategoritë
LajmeRajoni