Të vjedhura jashtë vendit, sekuestrohen 13 varëse me gurë diamanti, mbi 15 kg ari e ora të markave të ndryshme – Policia e Shtetit publikon pamje

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se është finalizuar operacioni policor i koduar “Stolen Gold”, ku si rrjedhojë është goditur një skemë kriminale e trafikimit dhe tregtimit të sendeve me vlerë, të dyshuara si të vjedhura jashtë vendit.

Policia njofton se të dyshuarit i siguronin sende me vlerë në Itali dhe Greqi, i fusnin kontrabandë në Shqipëri dhe i tregtonin në argjendari në Fier dhe Lushnjë

Lidhur me këtë është vënë në pranga një 27-vjeçar, D.S, banues në fshatin Kreshpan, Fier.

Ndërkaq, në kërkim është një 45-vjeçar, i dyshuar për të njëjtën veprimtari kriminale. Po ashtu janë proceduar penalisht 7 administratorë argjendarish.

“Sekuestrohen 15 kg e 259 gramë ar, 4 kg e 281 gramë argjend, 612 ora të markave të ndryshme, 13 varëse me gurë diamanti, sende të dyshuara me vlerë artistike e kulturore, para në lekë dhe euro, aparate celularë, DVR dhe sende të tjera.

Vlera paraprake e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 2 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetasi i arrestuar, 27 vjeçari siguronte në mënyrë të kundërligjshme sende me vlerë, bizhuteri ari dhe argjendi, ora të markave të ndryshme, si dhe objekte të tjera me interes ekonomik, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga vjedhje të kryera jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kryesisht në Itali dhe Greqi, dhe më pas i tregtonte në subjekte argjendarie të ndryshme.

Kategoritë
LajmeVendi