Arbitri somalez të cilit iu ndalua hyrja në SHBA do të gjykojë në ndeshjen e Superkupës së UEFA-s

Artan mbërriti të mërkurën në Mogadishu, ku u prit si hero, pasi më herët iu mohua hyrja në SHBA për të gjykuar në Kupën e Botës së FIFA-s.

Unioni i Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA) njoftoi të enjten se gjyqtari ndërkombëtar somalez Omar Artan do të drejtojë ndeshjen e Superkupës së UEFA-s 2026 mes Paris Saint-Germain dhe Aston Villa, e cila do të zhvillohet në Austri më 12 gusht.

“Jemi të kënaqur të njoftojmë se gjyqtari somalez Omar Artan do të drejtojë ndeshjen shumë të pritur mes PSG dhe Aston Villa në Salzburg”, tha UEFA në një deklaratë.

Artan mbërriti të mërkurën në Mogadishu, ku u prit si hero, pasi më herët iu mohua hyrja në SHBA për të gjykuar në Kupën e Botës së FIFA-s.

“Unë ju premtoj se do të gjykoj në Botërorin e ardhshëm dhe e falënderoj FIFA-n dhe popullin somalez për mbështetjen”, tha Artan në një konferencë për media pas mbërritjes së tij.

Federata e Futbollit të Somalisë e përshkroi rrugëtimin e Artanit si “një burim krenarie për Somalinë, CECAFA (Këshilli i Federatave të Futbollit të Afrikës Qendrore dhe Lindore) dhe futbollin afrikan”.

Refuzimi i hyrjes së tij në SHBA shkaktoi kritika ndërkombëtare, me disa tifozë futbolli që bënë thirrje për bojkot të Kupës së Botës.

Artan do të bëhej arbitri i parë somalez që do të gjykonte në një ndeshje të Kupës së Botës.

Artan u shpall së fundmi Gjyqtari më i Mirë i Afrikës për vitin 2025 në Çmimet CAF në Rabat, Marok, të organizuara nga Konfederata Afrikane e Futbollit.

Një dekret i lëshuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump më 4 qershor 2025 ndalon plotësisht hyrjen në vend të shtetasve somalezë, duke thënë: “Hyrja në Shtetet e Bashkuara e shtetasve të Somalisë si imigrantë dhe joimigrantë pezullohet plotësisht”.

Kategoritë
Sport