Kroaci, shumë familje pas tërmetit natën e kaluan në automjete dhe tenda

Në qytetin e Petrinjës, pothuajse asnjë ndërtesë nuk mbeti e padëmtuar, kryesisht oxhaqet kanë rënë, duke shembur një pjesë të pllakave dhe çatisë, ndërsa më pas edhe muret.

Dëmin më të madh material tërmeti i shkaktoi Petrinjës, ku humbi jetën një vajzë 13-vjeçare në Majske Poljane afër Glinës, përveç dëmeve materiale, pesë persona humbën jetën, ndërsa në Lekenik një person, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të disponueshme deri më tani, 26 persona u lënduan rëndë dhe janë vendosur në spital.

Në qytetin e Petrinjës, pothuajse asnjë ndërtesë nuk mbeti e padëmtuar, kryesisht oxhaqet kanë rënë, duke shembur një pjesë të pllakave dhe çatisë, ndërsa më pas edhe muret.

Kryetari i Komunës së Petrinjës, Darinko Dumboviç tha se qytetarët kaluan dy net pa gjumë, duke marrë parasysh që tërmeti i parë goditi këtë qytet pardje, ndërsa më i forti ndodhi dje rreth orës 12:19, me fuqi prej 6.2 ballë sipas Rihterit me epiqendër vetëm 5 kilometra larg qytetit.

“Kur ndodhi tërmeti i parë, menduam se mund të kishim vetëm një tërmet më të dobët, jo më të fuqishëm”, tha Dumboviç, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

“Së pari ne u përpoqëm t’i nxirrnim njerëzit nga rrënojat. Ne dje nxorrëm një 21-vjeçar i cili ishte bllokuar në Administratën e Qytetit. Për tre orë e nxorrëm, qentë e zbuluan dhe ne e gjetëm atë përmes telefonit celular”, tha ai.

Rreth 100 persona nga Petrinja u kujdesën në Popovaç ndërsa mbi 300 prej tyre në kazermat lokale, konfirmoi Dumboviç.

Në Petrinjë dhe vendet përreth po arrijnë një numër i madh i njerëzve që dëshirojnë të ndihmojnë në sanimin e dëmeve. Arritën anëtarët e grupeve tifoze dhe veteranë kroatë në pension nga Zagrebi, Lika dhe vendet e tjera kroate.

Dumboviç u bëri thirrje qytetarëve që dëshirojnë të ndihmojnë atë ta bëjnë në mënyrë të organizuar, në marrëveshje me Mbrojtjen Civile meqë, theksoi ai, të gjithëve që arrijnë duhet t’u sigurohet vendosje.

Petrinja sipas regjistrimit të fundit ka pasur 21.500 banorë. Kryetari i Komunës theksoi se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk dëshirojnë të braktisin shtëpitë e tyre, ndonëse arritën thirrjet deri te banorët e Petrinjës dhe të gjithëve që objektet u janë dëmtuar nga dridhja, që të vendosen në hotele, apartamente dhe shtëpi të cilat qytetarët nga solidariteti i lëshuan në disponim.

Shumica e qytetarëve kaluan natën në automjete ose tenda, jashtë, disa ndiznin zjarr për t’u ngrohur pas shiut që binte gjatë natës, meqë edhe ata shtëpitë e të cilëve janë të padëmtuar kanë frikë të flenë para se të vlerësohet gjendja e objektit.

Njëra prej tyre është Marica Pavloviç, një banore e moshuar në Petrinja, e cila është ulur në parkun e qytetit me burrin e saj dhe kërkon që vlerësohet nëse ndërtesa e saj është e sigurt për të jetuar, duke qenë se ajo është një nga disa ndërtesat e ruajtura në qendër.

“Në ndërtesë nuk guxojmë të hyjmë sepse gjithçka është shembur, muret janë plasaritur, gjithçka është thyer, çfarëdo që kemi. Jemi duke pritur për statikën, se kur do të vijë, nuk dihet. Nuk fjetëm, thjesht u ulëm me një shoqe dhe nuk dimë çfarë të bëjmë”, tha Marica dhe shtoi se as ajo dhe as burri i saj nuk do të braktisnin qytetin.

“As nuk kemi për të ngrënë, as nuk kemi asgjë për të veshur sepse nuk na lejohet të hyjmë në banesë dhe të paktën të pastrojmë dhe të marrim disa gjëra”, tha ajo.

Majske Poljane, fshati me 5 viktima

Gjatë rrugës për në fshatin Majske Poljana, afër epiqendrës së tërmetit, situata nuk është aspak më e mirë, por këto janë kryesisht shtëpi më të reja në krahasim me qytetin e vjetër të Petrinjës, të cilat ishin kryesisht të dëmtuara.

Në Majske Poljane, një fshat jo larg Glinës, disa shtëpi u rrafshuan me tokën, përfshirë Shtëpinë e Kulturës atje.

Bëhet fjalë kryesisht për popullatë të moshuar, sipas vlerësimeve lokale midis 250 dhe 300, kryesisht që merren me blegtori dhe bujqësi.

Familja e Vasilj Kukoleça nxori një tryezë përpara shtëpisë gjysmë të rrënuar në të cilën shtroi produktet e mishit të thatë, pranë tryezës ishte ndezur gjeneratori në mënyrë që të mund të ndiznin furrën e vendosur gjithashtu në livadhin e lagur në oborr.

Këtij banori të moshuar në Majske Poljane i cili nuk dëshiron të largohet nga shtëpia e tij, megjithëse nuk është më në gjendje të banohet, i erdhi në ndihmë djali i tij që jeton në Beograd.

“Natën e kaluam në automjet. Ne shpëtuam, u fshehëm dhe ka nga ata që nuk arritën të shpëtonin veten, të cilët u varrosën”, thotë Kukoleça, i cili u gjet në shtëpi nga tërmeti i djeshëm.

Ai pret që ushtria kroate të vendos një tendë të nxehtë në oborrin e shtëpisë së tij sepse nuk dëshiron të lërë bagëtinë dhe pronën e tij.

Në këtë fshat, pësuan babai dhe biri, një banor i ri 20-vjeçar, një 30-vjeçar dhe një person i moshuar, tha një banor i ri, Dragisha Lonçarevicç.

“Kemi pesë jetë të humbura në rrënoja. Kjo është tragjedia më e madhe, ndërsa dëmin material do ta rregullojmë. Shtëpitë e padëmtuara mund të numërohen në gishtat e njërës dorë, trafostacionet janë shkatërruar. Njerëzit do të duhet të pranojnë shtëpitë e zëvendësimit sepse nuk mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ata flenë gjatë natës në automjete”, thotë Lonçareviq.

Ushtria e Kroacisë mbërriti në terren për të ndihmuar qytetarët me makineri ndërtimi, ngriti çadra për njerëzit shtëpitë e të cilëve u dëmtuan dhe shpërndau ujë të pijshëm dhe gjeneratorë.

Kategoritë
LajmeRajoni