Eurodeputeti austriak: Vendosja e masave ndaj Kosovës ishte vendim shokues, largimi i Borrellit e ndihmon vendin

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, është deklaruar rreth largimit të Josep Borrell nga pozita e përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Sipas austriakut, largimi i Borrellit do të jetë në favor të Kosovës.

“Kosova është poashtu një kampion për vlerat demokratike që ka treguar në krahasim me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, Kosova është qartazi e para dhe kjo është nënvlerësuar në raportin e Borrellit, me një qasje direkte po them që shpresoj se nuk do të kemi nevojë që të diskutojmë më për politikat e Borrellit karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse mandati i tij do të mbarojë, pasi që tutje këtë detyrë do ta bart Kaja Kallas, sepse ajo është një personalitet mjaft premtues kur vjen puna për lidhjet me Ballkanin Perëndimor, për shkak të vlerave të saj evropiane”, ka thënë Mandl.

Ai deklaroi se masat e BE-së ishin të padrejta që nga fillimi dhe për të ishte shokuese se ato u konsideruan.

“Këto masa kanë qenë të gabuara që nga fillimi, e kam thënë këtë që nga fillimi madje kam qenë i shokuar që Brukseli veç i ka konsideruar për të vendosur masa ndaj Kosovës, dhe duhet të largohen sa më parë për shkak të një analize racionale dhe të bazuar në fakte”, shtoi eurodeputeti i cili fitoi edhe një mandat.

Mandl deklaroi se duhet analizuar dëmi që këto masa ia kanë shkaktuar Kosovës, në mënyrë që kjo të shërbejë si mësim për investimet e ardhshme./T7

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi