Sulmuesi 41-vjeçar deklaroi në një postim në Instagram se do ta “dorëzojë fanellën me numrin 7” pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare.
Cristiano Ronaldo njoftoi sot se do të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar pas ndeshjeve të Portugalisë në nëntor, duke i dhënë fund një karriere plot rekorde që zgjati më shumë se dy dekada.
Sulmuesi 41-vjeçar deklaroi në një postim në Instagram se do ta “dorëzojë fanellën me numrin 7” pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare.
Portugalia do të presë Danimarkën në Ligën e Kombeve të UEFA-s më 14 nëntor ndërsa tri ditë më vonë do të luajë në transfertë kundër Uellsit.
– Karrierë ndërkombëtare plot rekorde
Ronaldo debutoi me kombëtaren në gusht të vitit 2003 kundër Kazakistanit dhe gjatë karrierës së tij shënoi 146 gola në 234 paraqitje – të dyja këto shifra përbëjnë rekorde në futbollin ndërkombëtar për meshkuj.
Si kapiten, ai e udhëhoqi Portugalinë drejt trofeut të parë të madh ndërkombëtar në Kampionatin Evropian të vitit 2016 ndërsa më vonë ndihmoi ekipin të fitonte Ligën e Kombeve të UEFA-s në vitet 2019 dhe 2025.
Fituesi pesë herë i “Topit të Artë” (Ballon d’Or) u bë gjithashtu lojtari i parë që shënon në gjashtë edicione të Kupës së Botës për meshkuj, pasi gjeti rrugën drejt rrjetës në turneun e vitit 2026.
Portugalia u eliminua në fazën e 1/16-ave nga Spanja, e cila më pas u shpall kampione.
– Mosmarrëveshje me trajnerin e kombëtares
Ky njoftim vjen pas një mosmarrëveshjeje publike me trajnerin e Portugalisë, Jorge Jesus, gjatë periudhës së ndeshjeve ndërkombëtare në shtator.
Ronaldo u largua nga grumbullimi i kombëtares pasi qëndroi në stol në ndeshjen kundër Norvegjisë. Më vonë, ai u kërkoi falje tifozëve dhe shokëve të skuadrës ndërsa e akuzoi trajnerin se nuk i kishte mbajtur premtimet lidhur me minutat e tij në fushë.
Në atë kohë, ai deklaroi se mbetet i gatshëm për t’u grumbulluar sërish, pasi të ketë shlyer çdo sanksion të vendosur nga Federata Portugeze e Futbollit.
Ronaldo zbuloi gjithashtu se kishte përgatitur një letër për t’u tërhequr pas Kupës së Botës 2026, por u bind nga presidenti i federatës, Pedro Proenca që të vazhdonte.
Vendimi i tij lidhet vetëm me futbollin ndërkombëtar, pasi ai vazhdon të luajë në nivel klubesh për ekipin saudit, Al Nassr.