Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.
Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.
Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.
Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.
Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.
Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.
Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.
Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.
Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.
Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.
Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.
Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.
Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.
Drejtësia, një nga pikat më të dobëta
Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.
Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.
Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.
Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.
Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.
Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.
Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.
