Aksion në 20 lokacione në Prizren, Suharekë dhe Dragash kundër bixhozit – Arrestohen 22 persona, sekuestrohen 10 mijë euro, pajisje elektronike dhe 4 armë

Aksion në 20 lokacione në Prizren, Suharekë dhe Dragash kundër bixhozit – Arrestohen 22 persona, sekuestrohen 10 mijë euro, pajisje elektronike dhe 4 armë

Policia e Kosovës, mbrëmë ka zhvilluar një operacion hetimor kundër lojërave të fatit, kryesisht atyre onlinë në rajonin e Prizrenit, nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Hetimet janë zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, me mbështetjen dhe ndihmën e stacioneve policore dhe njësive të tjera policore të Rajonit të Prizrenit.

“Në zbatim të urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prizren është zbatuar plani operativ “Bixhozi”. Në kuadër të këtij plani operativ janë kontrolluar 20 lokacione (lokale afariste dhe shtëpi banimi), nën dyshimin për zhvillimin e aktiviteteve ilegale të bixhozit, përkatësisht organizimit të lojërave online të fatit. Operacioni ka përfshirë lokacione në tri komuna: Prizren, Suharekë dhe Dragash”, ka njoftuar Policia.

Ata kanë thënë se janë sekuestruar materiale të ndryshme që mund të shërbejnë si prova dhe dëshmi lidhur me dyshimin e bazuar se të dyshuarit e identifikuar kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenit 294, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke përfshi para kesh rreth 10 mijë euro dhe pajisje elektronike. Gjithashtu janë sekuestruar katër armë zjarri dhe municion.

“Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 22 persona. Pas intervistimit të të dyshuarve, në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorisë, 19 prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa 3 janë liruar në procedurë të rregullt. Prokuroria Themelore në Prizren, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren dhe Policia e Kosovës në përgjithësi mbeten të përkushtuara në veprimet e tyre për parandalimin e veprave penale, identifikimin dhe arrestimin e kryerësve të tyre, duke përfshirë edhe veprat penale që lidhen me bixhozin e kundërligjshëm”, ka njoftuar Policia. /Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi