“Bosch” do të shkurtojë 750 vende të tjera pune në Gjermani për shkak të konkurrencës kineze

“Bosch” do të shkurtojë 750 vende të tjera pune në Gjermani për shkak të konkurrencës kineze

Shkurtimet e planifikuara në qendrën e zhvillimit në Abstatt e çojnë në 23.650 numrin e vendeve të punës që kompania ka njoftuar se do t’i shkurtojë në divizionin e saj të mobilitetit në Gjermani.

Prodhuesi gjerman i pjesëve për automjete “Bosch” planifikon të shkurtojë 750 vende të tjera pune në qendrën e tij të zhvillimit në Abstatt deri në fund të vitit 2029, për shkak të konkurrencës në rritje nga prodhuesit kinezë, raportuan sot mediat lokale.

Shkurtimet do të prekin divizionin e mobilitetit të kompanisë në këtë qendër, në landin Baden-Wurttemberg. “Bosch” e konfirmoi këtë për gazetën ekonomike “Handelsblatt”, duke bërë të ditur se reduktimet do të zbatohen në mënyrë të përgjegjshme nga ana sociale.

Kompania përmendi rritjen e konkurrencës kineze dhe zhvendosjen e zhvillimit të sistemeve në qendrën e saj në Kinë, ku bashkëpunon me klientët vendas. Prodhuesit kinezë të automjeteve po bëhen gjithnjë e më shumë klientët e parë për teknologjitë e reja, përfshirë sistemet elektronike të drejtimit dhe frenimit.

“Detyrat që lidhen drejtpërdrejt me klientët, për këtë arsye, nuk do të kryhen më në Abstatt”, tha drejtori financiar rajonal, Mohammed Abraham. “Për të siguruar rolin afatgjatë të Abstattit, duhet të përshtatim strukturat dhe kostot tona. Fatkeqësisht, nuk ka rrugë tjetër”, tha ai.

Megjithatë, Abstatt do të vazhdojë të funksionojë si qendër zhvillimi.

Sipas raportimit, së bashku me 900 shkurtimet e vendeve të punës të njoftuara më parë në fabrikën e “Bosch”-it në Nuremberg, reduktimet e fundit e çojnë në 23.650 numrin e përgjithshëm të vendeve të punës që kompania ka njoftuar se do t’i shkurtojë në divizionin e saj të mobilitetit në Gjermani.

Në shtator, “Bosch” njoftoi se planifikonte të eliminonte rreth gjysmën e vendeve të punës në objektin e Nurembergut.

Industria automobilistike gjermane po përballet me presionin e konkurrencës kineze, tarifave doganore amerikane dhe marzheve të ulëta të fitimit nga automjetet elektrike. “Bosch” tashmë ka eliminuar mijëra vende pune gjatë viteve të fundit dhe ka njoftuar shkurtime të tjera.

Kategoritë
Ekonomi