Erdogan: Turqia do të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë

Erdogan: Turqia do të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë

“Pas takimit tonë me presidentin Zelenskyy, tani dëshirojmë të trajtojmë edhe palën ruse të çështjes, duke zhvilluar një takim me presidentin Putin”, tha Erdogan

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Turqia do të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, duke shprehur synimin e tij për të zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, raporton Anadolu.

“Si Turqi, po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të hapur rrugën drejt paqes mes Rusisë dhe Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Pas takimit tonë me presidentin Zelenskyy, tani dëshirojmë të trajtojmë edhe palën ruse të çështjes, duke zhvilluar një takim me presidentin Putin”, tha Erdogan gjatë fluturimit të kthimit nga Koreja e Jugut.

Duke iu referuar vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, të shtunën në Turqi, Erdogan tha se ata diskutuan rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Ai tha se gjatë takimit theksoi rëndësinë e ndjekjes së nismave diplomatike përmes negociatave.

Ai shtoi se zyrtarët turq, veçanërisht ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, do të vazhdojnë diskutimet me homologët e tyre rusë për t’u përgatitur për bisedimet e mundshme.

Të shtunën, presidenti Zelenskyy tha se me presidentin Erdogan kishte rënë dakord për të punuar në korridorin e grurit të Detit të Zi.

“Sot arrita një marrëveshje me presidentin Erdogan për të punuar në korridorin e grurit të Detit të Zi. Qëllimi ynë është të sigurojmë që ky korridor të mbetet në vend dhe të vazhdojë të funksionojë në mënyrë efektive,” tha ai gjatë një konference të përbashkët për media në Stamboll, pas bisedimeve me presidentin turk.

Turqia luajti një rol kyç në krijimin e korridorit të parë të grurit të Detit të Zi në 2022-2023.

– Bashkëpunimi mes Turqisë dhe Koresë së Jugut në industrinë e mbrojtjes

Duke folur për bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes me Korenë e Jugut, presidenti Erdogan tha se marrëdhëniet dypalëshe shtrihen përtej sistemeve të veçanta të armatimit dhe përfshijnë një gamë të gjerë teknologjish të mbrojtjes.

“Kur flasim për marrëdhëniet në industrinë e mbrojtjes mes Turqisë dhe Republikës së Koresë, ne nuk i vlerësojmë ato vetëm në aspektin e vendosjes në tryezë të një apo dy sistemeve të armatimit”, tha ai.

“Ajo për të cilën po flasim këtu është teknologjia gjithëpërfshirëse e industrisë së mbrojtjes”, shtoi ai.

Erdogan tha se bashkëpunimi përfshin tankun kryesor të betejës Altay, obusët Firtina, mjetet ajrore pa pilot, dronët e armatosur, si dhe sistemet e mbrojtjes ajrore dhe teknologjitë detare, përfshirë nëndetëset.

“Ministria jonë e Mbrojtjes Kombëtare i diskuton të gjitha këto çështje me homologët e saj, i trajton ato në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ne ndërmarrim hapat tanë në përputhje me rrethanat”, tha ai.

I pyetur nëse në periudhën e ardhshme është e mundur një marrëveshje bashkëpunimi me Korenë e Jugut për mjetet ajrore pa pilot dhe dronët e armatosur, Erdogan theksoi shtrirjen e gjerë të bisedimeve dypalëshe që po zhvillohen në industrinë e mbrojtjes.

Të martën, presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, u takua me presidenti Erdogan në Seul.

Në ceremoni gjithashtu morën pjesë kryediplomati Fidan, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, si dhe drejtori i Komunikimeve, Burhanettin Duran.

Turqia dhe Koreja e Jugut nënshkruan katër memorandume mirëkuptimi që mbulojnë shkencën, teknologjinë dhe inovacionin, burimet natyrore dhe minierat, energjinë, si dhe financimin e projekteve të energjisë bërthamore.

– Marrëdhëniet me Azerbajxhanin

Duke folur për marrëdhëniet me Azerbajxhanin, Erdogan hodhi poshtë pretendimet për një krizë mes dy vendeve, duke theksuar forcën e lidhjeve të tyre të kahershme.

Ai tha se planifikon të vizitojë Azerbajxhanin më 8 nëntor për të shënuar Ditën e Fitores, nëse nuk paraqiten rrethana të paparashikuara.

“Shpresojmë se gjatë kësaj vizite do të kemi mundësinë të ndërmarrim hapat e nevojshëm”, tha ai.

Erdogan gjithashtu tha se tashmë ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, si dhe ka dërguar në Azerbajxhan shefin e shërbimit të inteligjencës dhe kryediplomatin turk.

Ai shtoi se diplomacia telefonike kishte vazhduar si me Aliyevin, ashtu edhe mes bashkëshorteve të tyre.

“Marrëdhëniet tona me Azerbajxhanin shkojnë shumë përtej kontakteve të zakonshme diplomatike. Lidhja e pathyeshme mes dy vendeve tona është fryt i historisë, kulturës, fatit tonë të përbashkët dhe, me ndihmën e Zotit, edhe të së ardhmes sonë”, tha ai.

“Nuk ka asnjë pengesë që vëllazëria mes Turqisë dhe Azerbajxhanit nuk mund ta kapërcejë”, shtoi ai.

– Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, Erdogan tha se ende është herët për të nxjerrë përfundime të qarta lidhur me ndikimin e tyre të mundshëm në marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së, si dhe në politikën e Washingtonit në Lindjen e Mesme.

“Uroj që rezultatet e zgjedhjeve të jenë në të mirë të popullit amerikan. Gjithashtu shpresoj që ndikimi i tyre në rajonin tonë dhe në politikën globale të jetë pozitiv”, tha ai.

Erdogan theksoi se marrëdhëniet turko-amerikane janë “të rrënjosura thellë” në një partneritet strategjik të kahershëm dhe në aleancën e NATO-s.

Duke përmendur luftërat dhe konfliktet që vazhdojnë në rajon, Erdogan shprehu shpresën se rezultatet e zgjedhjeve do të kontribuojnë në arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm.

“Dëshira jonë më e madhe është që rezultatet e zgjedhjeve të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin tonë”, tha ai.

“Për këtë qëllim, do të vazhdojmë të mbajmë dialog të ngushtë si me administratën amerikane, ashtu edhe me Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin”, shtoi ai.

Demokratët fituan kontrollin e të dy dhomave të Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit të së martës, duke i shkaktuar një goditje të madhe Partisë Republikane të presidentit Donald Trump.

Rezultatet paraprake treguan se demokratët siguruan 228 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 54 në Senat, përfshirë dy senatorë të pavarur aleatë me ta.

Kongresi i ri, nën kontrollin e demokratëve, do të mblidhet më 3 janar të vitit 2027, duke i dhënë kështu partisë kompetenca më të mëdha për të mbikëqyrur politikat e administratës së presidentit Trump.

– Procesi i Turqisë pa terrorizëm

Duke folur për procesin e vazhdueshëm të Turqisë pa terrorizëm, Erdogan tha se përpjekjet po vijojnë brenda kornizës ligjore. Ai theksoi nevojën për përfundimin e plotë të proceseve të çarmatimit dhe verifikimit përpara kalimit në fazën e ardhshme.

Ligji që përcakton kornizën ligjore për procesin e Turqisë pa terrorizëm u botua më 18 gusht në Gazetën Zyrtare, duke hyrë zyrtarisht në fuqi masat e miratuara nga parlamenti në fillim të të njëjtit muaj.

Ligji për Forcimin e Solidaritetit Kombëtar dhe Kohezionit Shoqëror përcakton procedurat për pezullimin e hetimeve, ndjekjeve penale dhe ekzekutimit të dënimeve të caktuara që lidhen me organizatën terroriste PKK/KCK dhe grupet e lidhura me të, pasi institucionet e sigurisë të konfirmojnë se organizata ka ndërprerë aktivitetet e saj dhe ka dorëzuar armët dhe municionet që kishte në kontroll.

Ky konfirmim duhet të miratohet gjithashtu përmes një vendimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili publikohet në Gazetën Zyrtare.

Kategoritë
BotaLajme