Në shkollën Maarif në Prizren promovohet gjuha dhe kultura rome

Në shkollën Maarif në Prizren promovohet gjuha dhe kultura rome

Në kuadër të 5 Nëntorit – Ditës Botërore të Gjuhës Rome, në International Maarif Schools of Kosova – Prizren është organizuar një aktivitet promovues nga aktivisti dhe gazetari Denis Galushi, me qëllim të promovimit të gjuhës dhe kulturës rome.

Gjatë aktivitetit, nxënësit e klasave X, XI dhe XII, si dhe stafi akademik, patën mundësinë të njihen më nga afër me gjuhën rome, rëndësinë e ruajtjes së saj dhe pasurinë kulturore të komunitetit rom.

Një pjesë e veçantë e aktivitetit ishte shpërndarja e fletushkave informuese, të përgatitura nga vetë Denis Galushi me vetëiniciativë. Fletushkat përmbanin edhe një fjalor të shkurtër të gjuhës rome, i cili ngjalli interesim te nxënësit, disa prej të cilëve filluan menjëherë të mësonin dhe të përdornin fjalë e shprehje në këtë gjuhë.

Në fund të aktivitetit, Denis Galushi shprehu mirënjohjen e tij për drejtorin e shkollës, z. Ibrahim Buçak, dhe gjithë stafin akademik për mikpritjen, respektin dhe mbështetjen.

Aktivitete të tilla kontribuojnë në promovimin e diversitetit kulturor, mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së gjuhëve amtare.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme