Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka nisur procesin e monitorimit të një kategorie të tatimpaguesve, për të cilët, bazuar në të dhënat e deklarimeve për periudhat tatimore 2024 dhe 2025, ka indikacione se mund të kenë tejkaluar pragun ligjor prej 30 mijë eurosh qarkullim vjetor dhe rrjedhimisht të kenë pasur obligim për regjistrim në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
ATK-ja ka bërë të ditur se po verifikon saktësinë e deklarimeve dhe përmbushjen e obligimeve tatimore nga kjo kategori e tatimpaguesve.
“Administrata Tatimore e Kosovës, bazuar në analizat e të dhënave të saj, ka identifikuar një kategori të tatimpaguesve për të cilët, nga deklarimet e dorëzuara për periudhat tatimore 2024 dhe 2025, ka indikacione të arsyeshme se mund të kenë përmbushur kriterin ligjor për regjistrim në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), përkatësisht qarkullimin vjetor mbi 30,000 euro”, thuhet në komunikatën e ATK-së.
Sipas ATK-së, legjislacioni tatimor përcakton se personi i tatueshëm që ushtron aktivitet ekonomik në mënyrë të pavarur dhe që brenda vitit kalendarik tejkalon qarkullimin prej 30 mijë eurosh, është i obliguar të regjistrohet për TVSH.
“Për këtë arsye, ATK-ja ka filluar procesin e monitorimit të kësaj kategorie të tatimpaguesve, me qëllim të verifikimit të saktësisë së deklarimeve dhe përmbushjes së obligimeve tatimore lidhur me regjistrimin në TVSH”, thuhet më tej.
ATK-ja u ka bërë thirrje tatimpaguesve që të rishikojnë deklarimet e tyre për periudhat përkatëse, veçanërisht të dhënat që lidhen me qarkullimin e realizuar.
“Në rast se konstatojnë pasaktësi në deklarime ose se kanë përmbushur kriteret ligjore për regjistrim në TVSH, ata duhet të ndërmarrin veprimet përkatëse për korrigjimin e deklarimeve dhe regjistrimin në TVSH, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi”, thekson ATK-ja.
Tatimpaguesit janë ftuar që këtë mundësi ta shfrytëzojnë në mënyrë vullnetare dhe me kohë, para se të fillojnë procedurat e verifikimit nga ATK-ja.
“Përmbushja e obligimeve tatimore në kohë u mundëson tatimpaguesve të shmangin pasojat dhe masat ligjore që mund të aplikohen në rast të mospërmbushjes së tyre”, thuhet në komunikatë.
ATK-ja ka paralajmëruar se tatimpaguesit e kësaj kategorie do të jenë objekt i verifikimit dhe trajtimit tatimor, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.
Ndërkaq, sipas të dhënave të ATK-së, vetëm gjatë periudhës janar-gusht 2026, në sistemin e TVSH-së janë regjistruar 3,093 biznese të reja.
“Vetëm gjatë periudhës janar-gusht 2026, në sistemin e TVSH-së janë regjistruar 3,093 biznese të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të bizneseve të regjistruara në TVSH në 40,082”, thuhet në njoftim.
ATK-ja u ka bërë thirrje tatimpaguesve që të kontrollojnë deklarimet dhe qarkullimin e deklaruar, ndërsa ata që kanë përmbushur kriteret ligjore për regjistrim në TVSH t’i ndërmarrin me kohë veprimet e nevojshme.

