Në kulmin e pandemisë COVID-19, në vitet 2020 dhe 2021, ilaçi Remdesivir vështirë mund të gjendej në Kosovë, ose duhej të paguhej qindra euro.
Sot, mijëra paketa të tij, me afat të skaduar, gjenden në barnatoren qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Unë nuk kam qenë këtu atëkohë, por është një dhomë me produktin Remdesivir, me rreth 7 mijë njësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtoresha e kësaj barnatoreje, Dardane Mehaj.
Barnatorja qendrore e QKUK-së furnizon të gjitha barnatoret e klinikave të saj, ndërsa për çështjen e barnave koordinohet edhe me spitalet rajonale.
Ekipi i REL-it e vizitoi atë në fund të shtatorit, ku pa disa dhoma me barna me afat të skaduar, të vendosura shumë pranë barnave të përdorshme – me vetëm një perde në mes.
Pavarësisht kësaj gjendjeje, Mehaj siguron se barnat e përdorshme janë të sigurta. Ndërsa, për barnat dhe materialet e tjera medicinale me afat të skaduar, ajo thotë se janë grumbulluar aty tash e gati 15 vjet.
Në mesin e tyre ka edhe barna që lirojnë grimca apo gazra, e që mund ta rrezikojnë ambientin.
Sipas Mehajt, sasisë së tyre i kanë kontribuar edhe donacionet e bëra gjatë pandemisë COVID-19.
“Stoqet që i kemi pasur në klinika, i kemi deponuar këtu. Është një numër i caktuar, nuk mund ta them me shifra. Nuk e di saktë as cilat barna janë, por vlen të theksohet se një produkt, që në kohë të pandemisë ka qenë vështirë të sigurohet, gjendet këtu në stok me afat të skaduar”, thotë Mehaj, duke iu referuar ilaçit antiviral Remdesivir.
Ajo nuk mund të thotë se përse ky ilaç – dikur i shumëkërkuar – ka përfunduar pa afat në magazinat e barnatores, bashkë me lloje të tjera barnash.
Ajo që dihet është se Remdesivirin, gjatë pandemisë, qytetarët e Kosovës e kanë blerë vetë nëpër barnatore, me një çmim prej 150 deri në 200 euro.
Institucionet shëndetësore vazhdimisht hedhin fajin te njëra-tjetra për keqadministrim të barnave.
Një dozë me ilaçin metadon. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon disa hapa – përfshirë kthimin te prodhuesi, groposjen, zbërthimin kimik dhe djegien – për asgjësimin e sigurt të barnave me afat të skaduar.
Sipas saj, këto barna “duhet të asgjësohen në mënyrë të sigurt, pa dëmtuar njerëzit dhe mjedisin”.
Mehaj thotë se barnat pa afat nuk janë tërhequr nga barnatorja qendrore e QKUK-së për asgjësim qysh në vitin 2010.
“Ekzistojnë procedura standarde operative se si një institucion duhet t’i tërheqë ose asgjësojë barnat. Një institucion si QKUK-ja nuk mund ta bëjë vetë një gjë të tillë. Ajo shkon përmes Ministrisë së Shëndetësisë, e cila duhet të hapë një tender për këtë çështje”, thotë Mehaj.
Në një udhëzim administrativ, të miratuar nga Qeveria e Kosovës qysh në vitin 2008, thuhet po ashtu se Ministria e Shëndetësisë është ajo që kontrollon dhe mbikëqyr administrimin e mbeturinave të produkteve medicinale, të gjeneruara në institucionet shëndetësore publike dhe private.
Ministria udhëzon edhe për mënyrën e shkatërrimit të mbeturinave të produkteve mjekësore, thuhet në dokument.
E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kjo ministri tha se ka formuar tashmë një grup punues për asgjësimin e mbetjeve mjekësore.
“Grupi e ka për obligim hartimin e kritereve për asgjësimin e këtyre mbetjeve mjekësore dhe pas përfundimit të kësaj çështjeje, do të fillohet me aktivitetin e prokurimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Ministria nuk iu përgjigj pyetjeve shtesë të REL-it se kur është formuar ky grup punues, përse barnat me afat të skaduar nuk janë asgjësuar tash e sa vite dhe a paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve grumbullimi i tyre.
Farmacistja Sabrije Fazliu-Asllani thotë se ruajtja e barnave me afat të skaduar në një vend ku ka edhe barna të përdorshme, bart rrezik për këto të fundit.
“Barnat e skaduara kontaminojnë ambientin apo vendin ku i lëmë”, thotë ajo.
Fazliu-Asllani, e cila drejton një barnatore private në Prishtinë, tregon se largimin dhe asgjësimin e barnave me afat të skaduar në institucionet private, e bëjnë kompanitë furnizuese.
Kosova nuk ka një vend të veçantë publik për asgjësimin e këtyre produkteve.
Por, Ministria e Mjedisit, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor prej vitesh ka licencuar së paku dy kompani private, të cilat, pos tjerash, janë të thirrura edhe për asgjësimin e mbetjeve medicinale dhe ilaçeve me afat të skaduar.
Këtë proces ato e kryejnë në furra me temperatura të larta brenda punëtorive të tyre.
Radio Evropa e Lirë ra në kontakt me pronarin e njërës kompani, i cili tha se, aktualisht, nuk është duke u marrë me punë të tilla, pasi nuk ka pasur ndonjë ofertë ose tender për asgjësim barnash.
“Para pak vjetësh kemi bërë asgjësimin e disa mbetjeve medicinale në një komunë”, tha shkurtimisht ai, pa dhënë më shumë detaje.
Barnatorja qendrore e QKUK-së, që udhëheq Mehaj, është e stërmbushur edhe me tavolina pune për stafin, për shkak të mungesës së hapësirave.
“Jemi shumë ngushtë dhe kjo na krijon probleme. Ne, edhe kur kemi furnizime të rregullta, duhet të koordinohemi për të liruar hapësira”, thotë Mehaj.
Situata, sidoqoftë, nxjerr në pah një paradoks shqetësues në sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës, ku pacientët shpesh detyrohen të blejnë barna me paratë e tyre, ndërkohë që barnat e skaduara grumbullohen nëpër barnatore.
Adresimi i çështjes duket se është kritik për ruajtjen e shëndetit publik.