AGK dënon ashpër dhe kërkon sqarime për arrestimin e kameramanit të “Betimi për Drejtësi”: Të lirohet, t’i kthehen mjetet e punës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi në Prizren është arrestuar kameramai i “Betimi për Drejtësi”. Në një reagim për media, AGK sqaron se kameramani Arianit Tahiri ka qenë bashkë me gazetaren Alberta Hasahani duke realizuar një hulumtim për keqpërdorim të detyrës gjatë orarit zyrtar të punës nga disa prokurorë, shkruan Gazeta Express.

Derisa ka qenë duke xhiruar, AGK njofton kameramanit i është ndaluar xhirimi nga punëtorët e lokalit dhe një prokuror që ka qenë aty.

Në reagimin e AGK thuhet se prokurori më pas e ka telefonuar Policinë, derisa kameramani është mbajtur dhunshëm në lokal nga punëtorët.

AGK-ja përmes reagimit në profilin zyrtar e ka dënuar fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Tahirit, lirimin e mjeteve të punës si dhe dhënien e sqarimeve publikisht për incidentin.

Reagimi i plotë:

Arrestohet dhe shoqërohet në Polici kameramani i “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është alarmuar me arrestimin dhe shoqërimin në Polici të kameramanit të medias “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri.

Tahiri ka qenë i shoqëruar bashkë me gazetaren, Alberta Hashani, duke realizuar një hulumtim për dyshimet për keqpërdorim të detyrës gjatë orarit zyrtar të disa prokurorëve.

Tahiri ka qenë duke xhiruar në një lokal publik kur i është ndaluar xhirimi nga punëtorët e lokalit dhe së paku një prokuror që ka qenë aty. Prokurori ka ftuar policinë në lokal dhe derisa ka arritur policia, kameramani Tahiri është mbajtur dhunshëm në lokal nga punëtorët, duke ia privuar lirinë kundërligjshëm. Pas arritjes së Policisë në lokal, zyrtarët policorë ia kanë konfiskuar kameramanit edhe telefonin si mjet i punës, gjë që ndalohet me ligj dhe e kanë shoqëruar në Stacionin Policor për deklaratë.

AGK-ja, e dënon fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës, kërkon lirimin e menjëhershëm të Tahirit, lirimin e mjeteve të punës si dhe dhënien e sqarimeve publikisht për incidentin.

#agk2024 #gazetaret #SafeJournalists

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi