Problemet post-COVID, zemra dhe truri më të prekurit, pasojat edhe te të rinjtë

Mos neglizhoni shqetësimet shëndetësore edhe pse mund ta keni kaluar me sukses koronavirusin. COVID-19 është jo vetëm i pabesë, por dhe i pamëshirshëm, thonë mjekët.

Krahas mushkërive, ai shkakton ndërlikime në tru, zemër dhe në enët e gjakut. Specialistët po përballen me rritje të urgjencave nga post-COVID.

“Pasi kalohet sëmundja, ose në fazat e fundit të saj, për shkak të çrregullimeve që jep kjo sëmundje, janë shumë të shpeshta rastet e pacienteve që kalojnë ishemi apo hemorragji cerebrale”, thotë Entela Basha, mjeke neurologë pranë QSUT, Tiranë.

Komplikimet post-COVID dhe fatalitet prej tij nuk po njohin moshë. Mjekët thonë se problemet e zemrës dhe krizat e tensionit po i ndeshin edhe te 20-25 vjeçarët.

“Kemi pasur shumë raste me pacientë me prekje të cipave të zemrës, sasi të shtuar të ujit në zemër, prekje të muskulit të zemrës, aritmi dhe kriza hipertensive”, thotë Taulant Gishto, mjek kardiolog në QSUT.

Problemet më të mëdha vihen re te personat që e kanë kaluar COVID në forma mesatare dhe të rënda. Mjekët këshillojnë kryerjen e disa vizitave të nevojshme post-COVID.

Meshkujt mbi 45 vjeç dhe femrat mbi 55 vjeç janë më të rrezikuar nga komplikimet e zemrës dhe të trurit. Por, në këtë periudhë pandemie, dhe pas problemeve që shfaq COVID-19, pasojat po shfaqen edhe te të rinjtë./A2

Kategoritë
FamiljeShëndetësi