Trump: SHBA-ja po punon për marrëveshje “masive” për potasën me Bjellorusinë me çmime më të ulëta se ato të Kanadasë

“Çmimi do të jetë dukshëm më i ulët se ai që po i paguajmë aktualisht Kanadasë, një lajm shumë i mirë për bujqit dhe blegtorët tanë”, tha presidenti amerikan.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se Washingtoni po punon për një marrëveshje “masive” për blerjen e potasës nga Bjellorusia me çmime që, sipas tij, do të jenë shumë më të ulëta se ato që SHBA-ja i paguan aktualisht Kanadasë, transmeton Anadolu.

“Çmimi do të jetë dukshëm më i ulët se ai që po i paguajmë aktualisht Kanadasë, një lajm shumë i mirë për bujqit dhe blegtorët tanë”, tha Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.

Në postim nuk u dhanë detaje mbi kohën, vëllimet ose kushtet e marrëveshjes së propozuar, dhe as nuk u bë e ditur nëse Minsku ka rënë dakord për ndonjë marrëveshje.

Kanadaja është prodhuesi më i madh në botë i potasës dhe furnizuesi kryesor i SHBA-së me këtë përbërës të plehrave bujqësore.

Në vitin 2024, Kanadaja prodhoi rreth 25 milionë tonë potasë, ose 32,8 për qind të prodhimit botëror, ndërsa Bjellorusia renditej e treta me rreth 12,1 milionë tonë, ose 15,9 për qind, sipas Natural Resources Canada.

Kategoritë
BotaLajme