“RAT-KO”: Tifozët algjerianë me një mesazh kreativ dënuan glorifikimin e Ratko Mladiçit

Grupi i tifozëve Ultra Dey Boys, që mbështet klubin algjerian të futbollit NA Hussein Dey, dërgoi një mesazh të ashpër dhe kreativ gjatë ndeshjes së parë të ekipit të tyre këtë sezon në stadiumin Dar El Beïda në Algjer.

Në tribuna u shfaq një pankartë me një lojë të qartë fjalësh me emrin e të dënuarit për krime lufte Ratko Mladić: “RAT-KO” (“rat” në anglisht do të thotë mi/miu i madh), përmes së cilës tifozët algjerianë iu referuan fatit të tij dhe përfundimit të jetës pas hekurave, me mesazhin se “miu ka vdekur dhe po shijon ferrin”.

Ratko Mladić, i cili ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë së Republikës Srpska, është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, ku u vranë më shumë se 8.000 burra, djem dhe të moshuar të paarmatosur, si dhe për një sërë krimesh lufte, krime kundër njerëzimit dhe dhunime sistematike.

Veprimi i ultrasve algjerianë erdhi si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj zhvillimeve në stadiumet e Serbisë, ku disa grupe tifozësh kishin shpalosur pankarta dhe koreografi që glorifikonin Mladićin.

Vëmendje të veçantë tërhoqi fakti se grupe të lidhura me klube që kanë rivalitet historik, si Partizani dhe Crvena Zvezda, përkohësisht lanë mënjanë armiqësitë e tyre për të dërguar së bashku mesazhe mbështetjeje dhe glorifikimi për të dënuarin për krime lufte.

Kategoritë
BotaLajme